Rama vs. Britania: Komente për Brexit shkaktojnë reagime

“Jeni në depresion” / Rama zemëron britanikët: “Nuk e di çfarë flet! Shih punët e tua!”

Deklaratat e kreut të qeverisë shqiptare, Edi Rama, gjatë një vizite në Londër, nuk janë pritur mirë nga Ministria e Brendshme britanike, duke shkaktuar reagime të forta në Britani.

Rama deklaroi se Brexit-i e ka sjellë Britaninë në një gjendje “depresioni” dhe ka çuar në shtimin e emigrantëve që kalojnë me gomone të vogla. Mediat britanike, si “Daily Express”, i cilësuan këto komente si “shpërthyese” mbi vendimin historik të Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, duke cituar fjalët e Ramës se emigrantët me gomone janë quajtur “anije të vogla” ose “anije të Brexit-it”.

“Ju e latë Evropën sepse donit më shumë lumturi. Tani jeni në depresion,” citohet të ketë thënë Rama nga “Daily Express”. Artikulli thekson se Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, do të presë udhëheqës nga Ballkani Perëndimor, përfshirë zotin Rama, për të forcuar përpjekjet kundër bandave të kontrabandës dhe për parandalimin e emigracionit ilegal.

“Ju e latë Evropën sepse donit më pak anije dhe keni më shumë anije. Ju e latë Evropën sepse donit më shumë investime. Keni më pak investime. E latë Evropën sepse donit më shumë lumturi. Tani jeni në depresion,” ishin deklaratat e Ramës.

“Daily Express” thekson se Rama kritikoi Brexit-in, duke pretenduar se bashkëpunimi më i ngushtë do të përmirësonte përpjekjet kundër migracionit të paligjshëm. Ai gjithashtu komentoi figurën e Nigel Farage: “Nuk varet nga ne të vendosim se kush do të zgjidhet dhe kush jo në Britani. Por në fund të fundit, kemi parë më shumë se një herë se puna e Qeverisë është diçka krejtësisht e ndryshme nga poezia e opozitës. Kështu që nuk shoh ndonjë problem kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me këdo. Dhe, në fund të fundit, besoj se Farage nuk është problemi, Farage është një pasqyrë e problemeve që ka njëfarë kapaciteti teatral për të qenë tërheqës, por problemet janë diku tjetër.”

Në kundërshtim, një burim nga Ministria e Brendshme Britanike, i cili ishte në detyrë kur mijëra shqiptarë kalonin Kanalin me gomone, u shpreh: “Edi Rama nuk ka idenë se për çfarë po flet. Nëse ai do ta bënte vërtet punën e tij, shqiptarët nuk do të kishin ikur për në Mbretërinë e Bashkuar në turma. Ai duhet të shpenzojë më pak kohë duke folur në publik dhe më shumë kohë duke marrë mbrapsht numrin rekord të kriminelëve shqiptarë që mbushin burgjet tona.”

Tabloidi “The Mirror” e cilësoi Ramën si “kryeministri vizitor”, duke cituar deklaratat e tij se “Britania po paguan çmimin për largimin nga BE-ja”. Ai u bëri thirrje atyre që kritikojnë njerëzit nga Shqipëria të “mbyllin gojën” dhe u tall ish-Sekretaren e Brendshme, Suella Braverman. Rama lavdëroi qeverinë laburiste për përparimet në menaxhimin e migracionit, duke e krahasuar situatën me “poezinë e opozitës”.

“Rama tha se emigrantët ishin bërë ‘kurban’ për Brexit-in. Ai u shpreh se ishte ende i zemëruar me ish-Sekretaren e Brendshme Suella Braverman për referimin e saj ndaj ‘kriminelëve shqiptarë’ në vitin 2023. ‘Meqë ra fjala, ku është ajo?’ tha ai me shaka. Dhe shtoi: ‘Thjesht mbaje mend, e di, mos u merr me shqiptarët sepse nëse shqiptarët të mallkojnë, thjesht zhdukesh’,” citon “Mirror” deklaratat e Ramës.

Rama u bëri thirrje politikanëve britanikë që “të mos i përmendin shqiptarët për asgjë tjetër veçse për arsye shumë të mira.” Ai shtoi: “Tani (ata) po u japin energji, po u japin shërbime, po punojnë shumë, janë krenarë që janë pjesë e këtij komuniteti të madh njerëzish, e kësaj shoqërie të larmishme. Dhe kështu kushdo që i preku ata duhet ta mbyllë gojën.”

Një tjetër medie britanike përcjell deklaratat e Ramës, duke vënë në dukje se rreth 22,000 njerëz u kontrabanduan përmes Ballkanit Perëndimor vitin e kaluar, dhe duke nënvizuar rëndësinë e trajtimit të migracionit të paligjshëm në të gjithë Evropën.

Scroll to Top