Kancelari gjerman Merz zbulon testimin e inteligjencës artificiale për hartimin e projektligjeve
Kancelari gjerman zbuloi të martën se ka filluar të eksperimentojë me inteligjencën artificiale (IA) për të hartuar legjislacion, duke vënë në dukje se teknologjia ofron aftësi “të mahnitshme”, por edhe kufizime.
“Po, aktualisht po eksperimentoj me një sistem të inteligjencës artificiale në kompjuterin tim dhe po e testoj atë”, u shpreh Friedrich Merz gazetarëve gjatë një vizite në Stuttgart. “Madje e provova konkretisht në një propozim legjislativ që vendosëm së fundmi në qeveri – skema aktive e pensioneve”, shtoi ai.
Politikani konservator, 69 vjeç, shprehu habi për aftësinë e IA-së për të ofruar formulime ligjore dhe për të sugjeruar ndryshime në projektligje, megjithatë, theksoi edhe kufizime të rëndësishme.
“Ishte e habitshme ajo që ofroi Inteligjenca Artificiale, madje deri në formulim. Megjithatë, vura re se një ndryshim në Aktin e Tatimit mbi të Ardhurat nuk ishte përfshirë ende atje. Pra, edhe ato kanë disa kufizime. Por po, është e vërtetë dhe do të rrëzojë barrierat”, tha Merz.
Kancelari vuri gjithashtu në dukje se, ndërsa inteligjenca artificiale dhe teknologjitë dixhitale ofrojnë mundësi të mëdha, ato vijnë me rreziqe të ndryshme dhe duhet të përdoren duke mos nënvlerësuar këto rreziqe.
Komentet e tij vijnë në një kohë kur autoritetet gjermane po punojnë për të integruar inteligjencën artificiale në funksionet qeveritare. Muajin e kaluar, ministri i kulturës krijoi një avatar të inteligjencës artificiale si një “eksperiment politik” për të demonstruar si mundësitë ashtu edhe rreziqet e inteligjencës artificiale në administratë dhe politikë.
