Konflikt pranë një stacioni karburanti në Manëz, dy persona të vrarë me armë zjarri
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në Durrës. Dy persona kanë humbur jetën pas një konflikti për motive të dobëta në Manëz.
Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 01:45 të datës 22.10.2025, në Manëz, pranë një stacioni karburanti, pas një konflikti dyshohet për motive të dobëta, janë vrarë me armë zjarri shtetasit A. K., 23 vjeç, dhe F. P., 33 vjeç, të dy banues në Manëz.
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, dyshohet se shtetasi F. P. është vrarë me armë zjarri nga shtetasi D. P., 21 vjeç, banues në Manëz, ndërsa shtetasi A. K. dyshohet se është vrarë nga shtetasi F. P.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet intensive për kapjen e shtetasit D. P. Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, po vijon punën në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe administrimin e çdo prove, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
