Lëvizte me makinë i armatosur, pranga 25-vjeçarit në Mat
Një 25-vjeçar, i identifikuar si Denis Kuka, është arrestuar nga policia e Matit. I riu u kap në flagrancë në zonën e quajtur “Ura e Matit”, teksa drejtonte një automjet tip ‘Audi’.
Gjatë kontrollit të kryer nga policia, iu gjet një armë zjarri gjysmë automatike. Arma, së bashku me automjetin, janë sekuestruar si provë materiale.
Operacioni për kapjen e tij u kodua “Bridge”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Bridge”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi D.K., 25 vjeç, banues në Klos. Gjatë ndërhyrjes, në vendin e quajtur “Ura e Matit”, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan automjetin tip “Audi”, që drejtohej nga 25-vjeçari, dhe gjatë kontrollit iu gjet një armë zjarri gjysmë automatike, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
