Kosova-Serbi në OKB: Akuza të ndërsjella dhe thirrje për ulje tensione

Kosova dhe Serbia përplasen në Këshillin e Sigurimit të OKB

Ministrat e Jashtëm të Kosovës dhe Serbisë, Donika Gërvalla dhe Marko Gjuriq, shkëmbyen akuza të ndërsjella në një sesion të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u diskutua raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Misionin në Kosovë, UNMIK.

Në këtë mbledhje, ministrja Gërvalla dhe përfaqësuesi amerikan në OKB kërkuan që misioni i UNMIK-ut të mbyllet, duke argumentuar se nuk ka kërcënime për sigurinë në Kosovë.

Raporti gjashtëmujor i UNMIK-ut, që mbulon periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator, u paraqit nga zëvendëspërfaqësuesi special i UNMIK-ut, Milbert Dongjoon Shin. Raporti u bëri thirrje institucioneve kompetente në Beograd dhe Prishtinë të ndjekin penalisht përgjegjësit për sulmin në Banjskë në veri të Kosovës në vitin 2023, ku një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një oficer.

Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj pjesëmarrësve të sulmit në Banjskë, ndërsa Serbia jo, edhe pse shumica prej tyre strehohen në Serbi, përfshirë edhe Milan Radojçiq, i cili mori publikisht përgjegjësinë për sulmin.

Raporti i UNMIK me vlerësime pozitive, por edhe shqetësime

Zëvendëspërfaqësuesi special i UNMIK-ut, Milbert Dongjoon Shin, përmendi si shembuj pozitivë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe dy takime ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Shin përsëriti shqetësimet e UNMIK-ut dhe partnerëve ndërkombëtarë në lidhje me mbylljen nga Prishtina zyrtare të institucioneve paralele serbe në komunat në veri.

“Është thelbësore që autoritetet në Prishtinë të përfshijnë sinqerisht të gjitha komunitetet e prekura përpara se të zbatojnë vendime që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme, si dhe të kërkojnë alternativa të vlefshme për të shmangur ose zvogëluar efektet negative,” tha Shin.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, nga ana tjetër, vlerësoi se raporti i UNMIK-ut është “i anshëm dhe i paplotë” dhe se “nuk përmban fakte themelore”. Sipas saj, “në Kosovë u mbajtën zgjedhje parlamentare dhe lokale dhe u vlerësuan nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare si të lira dhe të ndershme”.

“Kosova është një demokraci e pastër perëndimore në Ballkanin Perëndimor, me angazhimin më të fortë pro-NATO dhe pro-BE në botë,” theksoi ministrja Gërvalla.

Akuza ndaj Serbisë

“Çdo ditë, po shohim një makinë propagande nën kontrollin e Aleksandar Vuçiq, e cila po helmon sistematikisht shoqërinë serbe dhe po e përgatit publikun për agresion kundër vendit tonë,” tha Gërvalla, duke shtuar se Prishtina mbetet e përkushtuar ndaj dialogut.

“Serbia tregoi se ishte e gatshme për luftë dhe se njeriu që mori përgjegjësinë për sulmin, Milan Radojçiq, ishte krahu i djathtë i Vuçiqit.”

Sipas Gërvallës, “komuniteti ndërkombëtar duhet të ushtrojë presion mbi regjimin në Serbi. Nëse nuk ka pasoja, ata do ta përshkallëzojnë situatën edhe më tej.”

Qëndrimi i Serbisë: Kurti po bën “spastrim të qetë etnik”

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, tha se Serbia e sheh raportin e UNMIK-ut si “të balancuar dhe realist”, ndërsa vlerësoi se “të drejtat e njeriut të serbëve në Kosovë po përkeqësohen sistematikisht” dhe se numri i “incidenteve me motive etnike është rritur”.

“Nga koha kur Albin Kurti erdhi në pushtet, janë regjistruar 37 incidente kundër anëtarëve të komunitetit serb. Ky mohim sistematik i të drejtave nuk është vetëm një tragjedi serbe, por një dështim moral për të vepruar,” tha Gjuriq, duke akuzuar Kurtin për, siç thotë ai, “spastrim të qetë etnik”.

“Regjimi i Albin Kurtit ka mbyllur 128 institucione jetësore në zonat ku jetojnë shumica serbe, institucione arsimore dhe shëndetësore, si dhe institucione të mirëqenies sociale, madje edhe zyrën e Kryqit të Kuq,” tha Marko Gjuriq.

BE kërkon uljen e tensioneve

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Stavros Lambrinidis, theksoi se Brukseli mbetet i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës.

“Kosova dhe Serbia, në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in, duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të ulur tensionet, për t’u përmbajtur nga lëvizjet e njëanshme dhe provokuese që do të çonin në rritje të tensioneve dhe dhunës,” përfundoi Lambrinidis.

Edhe përfaqësuesi i SHBA-së u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet, të përmbahen nga masat që do të çonin në përshkallëzim dhe të rikthehen në dialog.

Scroll to Top