Berisha: Do të ketë garë të hapur për kryetarin e PD-së, unë do të jem pjesë e saj
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar sot se do të ketë një garë për kryetarin e PD-së, ku ai vetë do të jetë pjesë e saj.
Në një konferencë për mediat, kryedemokrati u shpreh se çdo deputet, anëtar dhe mbështetës i Partisë Demokratike do të jetë i lirë të shprehë çdo mendim që ka.
“Së pari, cilido që lexon raportin paraprak të OSBE-ODIHR dhe ka kulturën minimale në të drejtën elektorale, kupton se zgjedhjet kanë qenë farsë. Ato janë zhvilluar në kushtet e partisë-shtet, siç e thekson edhe rekomandimi i Këshillit të Europës. Janë zhvilluar në kushte të pabarabarta, siç pohohet nga raporti paraprak i OSBE-ODIHR. Që këtu, zgjedhjet janë farsë dhe jo zgjedhje.
Së dyti, ju garantoj se çdo deputet, anëtar, mbështetës i kësaj partie do të jetë i lirë të shprehë çdo mendim që ka. Natyrisht, interpretimi i nenit të statutit duhet të jetë i saktë. Statuti flet për zgjedhje, jo për farsa. Dhe tani, për ta mbyllur këtë çështje, anëtarësia e PD-së do të bëjë interpretimin përfundimtar. Do të ketë një garë për kryetarin e PD-së. Sigurisht që do të jem pjesë e saj. Kjo është pyetje. Por e hapur, për cilindo,” tha Berisha.
