Bllokim në Bruksel, mungon konsensusi për përdorimin e aseteve ruse për Ukrainën
Përpjekjet e Bashkimit Evropian për të siguruar një pako të re, të konsiderueshme financiare për Ukrainën, duke përdorur fitimet nga asetet ruse të ngrira, janë hasur në pengesa. Burime të BE-së konfirmojnë se nuk u arrit asnjë konsensus mbi këtë çështje gjatë mbledhjes së ambasadorëve të shteteve anëtare këtë mëngjes.
Si pasojë, çështja mbetet e hapur dhe teksti i përfundimeve lidhur me “kreditë e dëmshpërblimit për Ukrainën bazuar në asetet ruse të imobilizuara” do t’i dorëzohet udhëheqësve të shteteve anëtare, pasi konsiderohet “shumë e rëndësishme”. Një burim i lartë diplomatik evropian e ka pohuar këtë vështirësi.
Çështja e përdorimit të fitimeve nga rezervat e ngrira të Bankës Qendrore Ruse (kryesisht të mbajtura në Belgjikë) është tepër e ndjeshme dhe ka detaje të pazgjidhura që po pengojnë marrëveshjen unanime. Sipas burimeve, tre pikat kryesore të mosmarrëveshjes janë:
- Detajet e garancive që shtetet anëtare do të duhet të ofrojnë për të mbuluar këto kredi, në rast të mosrealizimit të fitimeve.
- Mënyra se si do të realizohet dhe kush do ta kryejë analizën e riskut, veçanërisht duke pasur parasysh Belgjikën, vendi që mban shumicën e këtyre aseteve.
- Specifikat se si do të përdoren fondet e dhëna në mënyrë që të mbështesin sa më efektivisht Ukrainën.
Pritet që liderët e BE-së gjatë takimit të tyre të përpiqen për një zgjidhje politike të kësaj mase, e cila konsiderohet esenciale për stabilitetin financiar të Kievit.
