OKB: Ngrohja Globale, Planeti drejt Greminës! Kërkohen Sisteme Paralajmërimi

Shefi i OKB-së: Ngrohja globale po e çon planetin drejt greminës

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi të mërkurën se ngrohja globale po e çon planetin drejt greminës dhe u bëri thirrje vendeve të zbatojnë sisteme paralajmërimi për fatkeqësi për të mbrojtur njerëzit nga moti ekstrem.

“Çdo një nga dhjetë vitet e fundit ka qenë më i nxehti në histori. Nxehtësia e oqeanit po thyen rekorde ndërsa shkatërron ekosistemet. Dhe asnjë vend nuk është i sigurt nga zjarret, përmbytjet, stuhitë dhe valët e të nxehtit”, u tha ai delegatëve në konferencën e jashtëzakonshme të Organizatës Botërore Meteorologjike të OKB-së në Gjenevë për të shënuar 75-vjetorin e saj.

Guterres u bëri thirrje vendeve të mobilizojnë fonde për të mundësuar një sistem global mbikëqyrjeje, të njohur si Sisteme të Paralajmërimit të Hershëm, për të mbrojtur njerëzit nga moti ekstrem.

“Ato u japin fermerëve fuqinë për të mbrojtur të korrat dhe bagëtinë e tyre. U mundësojnë familjeve të evakuohen në mënyrë të sigurt. Dhe mbrojnë komunitete të tëra nga shkatërrimi”, tha Guterres. Marrja e njoftimit 24 orë para një ngjarjeje të rrezikshme mund ta zvogëlojë dëmin deri në 30%, shtoi ai.

Mbi 60% e vendeve kanë futur në përdorim Sisteme të Paralajmërimit të Hershëm për shumë rreziqe që kur Guterres nisi një iniciativë në vitin 2022 që të gjitha vendet t’i kenë këto sisteme në vend deri në vitin 2027.

Në pesë dekadat e fundit, fatkeqësitë që lidhen me motin, ujin dhe klimën kanë vrarë më shumë se 2 milionë njerëz, me 90% të këtyre vdekjeve që ndodhin në vendet në zhvillim, tha të hënën OBM-ja.

Scroll to Top