Ndalohet hyrja në Shqipëri për një predikues fetar, për shkak të dyshimeve për lidhje me akte terroriste.
Një person, i konsideruar i rrezikshëm për sigurinë e vendit për shkak të lidhjeve të dyshuara me akte terrorizmi, nuk është lejuar të hyjë në Shqipëri këtë pasdite në Rinas. Bëhet fjalë për predikuesin fetar Imran Hosein, siç raporton TCH.
Ai kishte udhëtuar nga Amerika e Jugut, konkretisht nga Trinidad, drejt Shqipërisë për të zhvilluar një agjendë fetare. Megjithatë, autoritetet e sigurisë dispononin informacione që lidheshin me akte terrorizmi, prandaj policia kufitare nuk ka lejuar hyrjen e tij në vend.
Aktualisht, ai po mbahet në Rinas deri në finalizimin e procesit të kthimit të tij në vendin nga ku është nisur.
Hosein është një studiues dhe predikues islam nga Trinidad & Tobago, i njohur për komentet e tij rreth eskatologjisë islame (shenjat e fundit të kohës) dhe çështjeve globale aktuale. Ai është autor librash dhe ligjërues ndërkombëtar mbi ekonominë islame, politikën globale dhe interpretimin e ngjarjeve bashkëkohore në dritën e Kuranit.
Ndër temat kryesore që ai trajton, lidhen me Izraelin. Hosein argumenton se Izraeli nuk është vetëm një shtet politik, por pjesë e një procesi historik dhe profetik që lidhet me fundin e botës sipas terminologjisë islame.
Nga ana tjetër, disa dijetarë dhe institucione islame e kanë kritikuar atë për interpretim të diskutueshëm të haditheve dhe për qëndrime jo të zakonshme ndaj temave të caktuara.
