Titulli: Furnizimi i Kievit me raketa Tomahawk, një përshkallëzim sipas Putinit. Presidenti rus: Nëse Rusia goditet, përgjigja do të jetë shumë serioze.
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi të enjten para gazetarëve se përgjigja e Rusisë ndaj një sulmi ukrainas me raketa Tomahawk të prodhuara në SHBA do të ishte “shumë serioze, nëse jo… dërrmuese”. Ai paralajmëroi se furnizimi i Kievit me armë të tilla me rreze të gjatë veprimi do të përbënte “një përpjekje përshkallëzimi”.
Kievi ka kërkuar vazhdimisht raketa Tomahawk. Presidenti ukrainas Volodymyyr Zelensky e ngriti këtë çështje gjatë një takimi me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar. Sipas Axios, Zelensky nuk arriti të sigurojë dërgesat e këtyre armëve.
Zyrtarë amerikanë kishin shprehur më parë se ky opsion mund të ishte në diskutim, duke shtuar se Trump do të merrte vendimin përfundimtar. Gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, presidenti nuk specifikoi nëse SHBA-të do t’i siguronin Kievit raketat, por theksoi se operimi i tyre kërkonte trajnim të gjatë dhe intensiv. Këto raketa kanë një rreze maksimale prej rreth 2,500 km.
“Ky do të ishte një përshkallëzim. Është një përpjekje përshkallëzimi,” tha Putin, duke komentuar mbi një dërgesë të mundshme. “Nëse territori rus goditet… me një armë të tillë, përgjigja do të jetë shumë serioze, nëse jo plotësisht dërrmuese,” shtoi ai.
Moska ka paralajmëruar më parë se dërgesat e raketave Tomahawk do të zvogëlonin perspektivat e paqes dhe do të dëmtonin marrëdhëniet SHBA-Rusi.
