Në kërkim për kultivim droge në Kosovë, arrestohet 49-vjeçari
Një 49-vjeçar është arrestuar pasi ishte në kërkim për drogë në Kosovë. Ai është shtetasi Oltion Shehu.
“Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Operacionalja 69”. Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale ka kapur në Tiranë një shtetas shqiptar, i akuzuar për kultivim të bimëve narkotike në Kosovë. Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe partneritetit të ngushtë me agjencitë ligjzbatuese në Kosovë, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kapën në Tiranë, në kuadër të operacionit “Operacionalja 69”, shtetasin O. Sh., 49 vjeç, i lindur në Tepelenë.
Ai ishte shpallur në kërkim, sepse Gjykata Themelore e Gjakovës, në muajin shkurt 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese në Kosovë, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 49-vjeçarit”, citohet në njoftimin e policisë.
