Berisha: Lajmi për urdhër-arrestin e Tom Doshit u publikua nga vetë SPAK-u
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sqaruar burimin e informacionit rreth urdhër-arrestit, sipas tij, të lëshuar nga SPAK-u për Tom Doshin. Ai deklaroi se këto lajme janë publikuar qëllimisht nga SPAK-u.
“Më duhet ta filloj këtë deklaratë për t’i informuar shqiptarët se, nga ky moment e tutje, ajo që dje njihej si ‘Skapi i Partisë’, do të quhet prej sot e tutje ‘Qendra Kombëtare e Shpifjes dhe Dezinformimit’. Ky institucion publikoi dje pasdite dhe gjatë gjithë natës në Tiranë lajmin se ka lëshuar urdhër-arresti për Tom Doshin, dhe në mëngjes, informacionet nga të njëjtat burime, vinin me pretendimin se Toma ishte arratisur. Tani imagjinoni se si zhvillohen hetimet nga ana e tyre. Imagjinoni ju teknikat e hetimit që përdorin,” tha Berisha.
“Prandaj, i ftoj shqiptarët që sa herë të dëgjojnë fjalën SPAK, të kujtojnë të lidhur me të këtë qendër kombëtare të shpifjeve dhe mashtrimeve. Toma nuk është arratisur, pavarësisht nëse ka apo nuk ka mandat arresti. Kjo është një gënjeshtër e tmerrshme, e cila është publikuar nga kjo qendër kombëtare e shpifjeve,” theksoi ai.
