Prokurori Elidon Hysenaj drejt konfirmimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA)
Drejtuesi i SPAK (Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Drejtësisë) ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Elidon Hysenaj.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare shtesë në çështjen e vetingut të prokurorit Hysenaj, prokurori Klodian Braho, i cili përfaqëson drejtuesin e SPAK, deklaroi se mbeten ende të paqarta qëndrimet e subjektit në dakordësimin për kërkesat e palëve në proceset penale, për zëvendësimin e masave të tyre në tre çështje.
Në vijim, Braho sqaroi se drejtuesi i SPAK kishte konsultuar informacionet e klasifikuara të institucioneve ligjore, si ato të gjendura në fashikujt e hetimit administrativ në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ashtu edhe në institucionet burimore.
Në përfundim, u vlerësua se gjetjet e konstatuara nuk mund të justifikojnë penalizimin e subjektit të rivlerësimit dhe për rrjedhojë, u kërkua lënia në fuqi e konfirmimit në detyrë.
Prokurori Elidon Hysenaj dhe përfaqësuesja e tij ligjore, avokatja Romina Zano, shprehën dakordësi me kërkesën e drejtuesit të SPAK, duke e cilësuar të drejtë.
Kolegji u tërhoq për marrjen e vendimit që do të shpallet më datë 28 tetor, në orën 15:30.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) i verifikoi gjatë hetimit administrativ informacionet e klasifikuara lidhur me prokurorin Elidon Hysenaj dhe nuk gjeti probleme penalizuese, duke e konfirmuar këtë subjekt rivlerësimi më 9 tetor të vitit 2023.
Kjo vendimmarrje u ankimua nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili kërkoi që të verifikohen të dhënat e klasifikuara dhe të trajtohen lidhur me dakordësimin e subjektit për kërkesat e të hetuarve për lehtësimin e masave të sigurimit ndaj tyre – të dhëna që u çmuan nga drejtuesi i SPAK, të pamjaftueshme për penalizim.