Gjykata Kushtetuese ka shpallur mbarimin e mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja.
Institucioni ka pranuar kërkesën e paraqitur nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, për këtë çështje. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së datës 24 tetor 2025.
Në dispozitivin e vendimit, Gjykata ka caktuar se mandati i gjyqtares Sonila Bejtja ka përfunduar më 25 prill 2025. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar njoftimin e Presidentit të Republikës, si organ emërtues, si dhe njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Ky vendim krijon mundësinë për plotësimin e një vendi vakant në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese. Pritet që Presidenti i Republikës të ndjekë procedurat përkatëse për hapjen e garës për zëvendësimin e znj. Bejtja.
Një javë më parë, më 16 tetor, Gjykata Kushtetuese i kishte dhënë të drejtë Presidentit Begaj lidhur me faktin se mandati i gjyqtares Sonila Bejtja kishte përfunduar. Tani, institucionet e presidencës dhe Kuvendi janë njoftuar për vakancën.
