Deputeti në Kosovë përfshihet në një incident fizik gjatë një interviste
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, është përfshirë në një konfrontim fizik me një qytetar teksa po jepte një intervistë. Lidhur me këtë ngjarje, është njoftuar policia e Kosovës, e cila ka marrë pamjet e siguruara nga kamerat gjatë intervistës publike të Zemajt.
Vetë deputeti ka reaguar për rastin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shpjegon se përplasja fizike ka ndodhur pasi qytetari e ka ofenduar. Zemaj shkruan se veprimi i tij ishte në mënyrë vetëmbrojtëse, por thekson se duhet të kishte ruajtur qetësinë në çdo rrethanë dhe se dhuna nuk është përgjigje e drejtë.
“Sot gjatë një interviste publike ndodhi një situatë e pakëndshme, për të cilën ndjej keqardhje të sinqertë. Një qytetar, nuk e di a ishte e rastit apo me qëllim të caktuar, këtë do ta vërtetojnë policia, më ofendoi dhe më provokoi verbalisht me fjalë të papranueshme, para medias dhe gazetarit që ishim në intervistë. Në atë moment reagova në mënyrë vetëmbrojtëse në afekt, gjë e cila nuk përfaqëson as bindjet e mia personale, as parimet që unë përfaqësoj si deputet dhe si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në këto raste sulmi dhe fyerjesh të ulëta, sigurisht do të duhej të ruaja qetësinë dhe dinjitetin në çdo rrethanë dhe pavarësisht provokimit, i cili nuk më ka ndodhur kurrë gjatë karrierës sime, dhuna, në çfarëdo forme, nuk është përgjigje e drejtë. Për këtë veprim, shpreh keqardhje dhe kërkoj falje publike. Kam respekt të plotë për çdo person, për çdo mendim dhe çdo kritikë, pavarësisht se sa e ashpër mund të jetë ajo, e imja është të mos reagoj me emocione. Andaj duhet të më shërbejë si mësim për të qenë më i durueshëm dhe më i përmbajtur në çdo situatë. Faleminderit të gjithëve për mirëkuptimin”, shprehet Zemaj në postimin e tij.
