SHBA-të dërgojnë anije luftarake drejt Karaibeve, Maduro akuzon Trump

SHBA dërgon anijen luftarake më të madhe në botë drejt Karaibeve, Maduro akuzon Trump-in: SHBA-të po fabrikojnë luftë

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “fabrikim të një lufte”, pasi këto të fundit dërguan anijen luftarake më të madhe në botë drejt Karaibeve. Ky veprim konsiderohet si një përshkallëzim i madh i përforcimit ushtarak amerikan në rajon.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka urdhëruar që aeroplanmbajtësja USS Gerald R Ford, e cila mund të mbajë deri në 90 avionë, të largohet nga Mesdheu të premten.

“Ata po sajojnë një luftë të re të përjetshme,” tha Maduro për mediat shtetërore. “Ata premtuan se nuk do të përfshiheshin më kurrë në një luftë, dhe po sajojnë një luftë.”

SHBA-të kanë rritur praninë e tyre ushtarake në Karaibe, duke dërguar anije luftarake, një nëndetëse bërthamore dhe avionë F-35. Zyrtarisht, ky veprim cilësohet si një fushatë për të goditur trafikantët e drogës.

Kohët e fundit, SHBA ka kryer dhjetë sulme ajrore ndaj anijeve, për të cilat pretendon se u përkisnin trafikantëve. Një prej tyre, të premten, ku sipas Hegseth u vranë “gjashtë narko-terroristë meshkuj”, u zhvillua në Detin e Karaibeve kundër një anijeje që ai tha se i përkiste organizatës kriminale Tren de Aragua.

Megjithatë, këto sulme janë dënuar në rajon dhe ekspertët kanë ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e tyre.

Ndërkohë që Administrata Trump thotë se po zhvillon një luftë kundër trafikut të drogës, ajo është akuzuar gjithashtu nga ekspertë dhe anëtarë të Kongresit për nisjen e një fushate frikësimi, në përpjekje për të destabilizuar qeverinë e Maduros.

Maduro është një kundërshtar i hershëm i Trump dhe presidenti amerikan e ka akuzuar atë si udhëheqës të një organizate trafikimi droge, akuzë që Maduro e mohon.

Në njoftimin e së premtes, Pentagoni theksoi se aeroplanmbajtësja USS Gerald R Ford do të vendoset në zonën e përgjegjësisë së Komandës Jugore të SHBA-së, e cila përfshin Amerikën Qendrore dhe Amerikën e Jugut, si dhe Karaibet.

Zëdhënësi Sean Parnell shtoi se forcat shtesë “do të rrisin dhe shtojnë kapacitetet ekzistuese për të ndërprerë trafikimin e narkotikëve dhe për të degraduar e çmontuar TCO-të”, ose organizatat kriminale transnacionale.

Scroll to Top