Loja në prapaskenë/ Çfarë po negociohet për fatin e Belinda Ballukut
A e ka lëshuar kryeministri zv/kryeministren, duke vënë si kusht hetimin e saj në gjendje të lirë? Ky fundjavë shënoi efektin e një bombe me lajmin e dhënë nga disa gazetarë pranë SPAK, se numri dy i qeverisë, Belinda Balluku, do të paraqitet të hënën para Prokurorisë së Posaçme, pasi mund të merret e pandehur.
Hipoteza se personi më i rëndësishëm në qeveri pas kryeministrit, ajo që kontrollon mbi 70% të buxhetit dhe që ka emëruar ministra ekskluzivisht të saj, mund të bjerë, u paraqit në mënyrë shumë të çuditshme nga mediat e afërta me qeverinë. Ato nuk dhanë asnjë lajm për fletëthirrjen e SPAK, vetëm pasqyruan një postim video të Ballukut nga Zvicra, sikur donin të jepnin mesazhin se gjithçka vijonte normalisht. A përkthehej kjo si një shenjë se kryeministri ende nuk kishte vendosur ta dorëzonte Ballukun?
Kurreshtja bëhet edhe më e madhe po të vërehet me kujdes se SPAK nuk e publikoi vetë lajmin, por ai u dha nga një gazetare profesioniste, e cila nuk është përgënjeshtruar kurrë sa herë ka raportuar për burimet e cituara brenda këtij institucioni. Klodiana Lala tha se prokurori Dritan Prençi e ka nisur tashmë fletëthirrjen për Ballukun.
Kur SPAK-ut iu kërkua të prononcohej për daljen e lajmit, institucioni nxori një deklaratë hemafrodite, që as e mohonte as e pohonte atë. Pse ky mister? Pse lajmi u la në gojën e gazetarëve dhe nuk u pohua zyrtarisht, si në raste të tjera? A do të thoshte kjo se vendimi për marrjen të pandehur të Ballukut nuk ishte përfundimtar? A mos vallë për fatin e zv/kryeministres po negociohej ende dhe pikërisht për këtë arsye mediat proqeveritare nuk e jepnin lajmin dhe SPAK nuk e zyrtarizonte atë? A mos vallë, siç ka ndodhur edhe në raste të tjera, vendimi mund të anulohej apo të shtyhej për më vonë?
Gjatë të premtes dhe të shtunës paradite u përfol në qarqet gazetareske një version i pakonfirmuar, se Edi Rama e ka marrë vetë në telefon prokurorin Prençi, nga celulari i një ish-ministri të afërt me SPAK, për t’i bërë presion. Idenë e presionit e përforcoi edhe shefi i grupit parlamentar të PD, Gaz Bardhi, i cili dukej sikur përcillte ndonjë informacion të dalë nga brenda Prokurorisë së Posaçme:
“…burime të mirëinformuara bëjnë me dije se prokurori i posaçëm, z. Dritan Premçi, është nën presion nga brenda SPAK, nga nivelet më të larta të pushtetit, nga segmente të caktuara mediatike apo nga eksponentë të krimit të organizuar,” deklaroi ai dhe më pas shtoi: “A është e vërtetë se për këtë shkak prokurori i posaçëm, z. Dritan Premçi, ka patur ndërhyrje të drejtpërdrejta nga Kryeministri Edi Rama për të anulluar thirrjen e Belinda Ballukut, duke e informuar prokurorin se ajo nuk do të paraqitet në SPAK javën e ardhshme?”
Pra, të gjitha këto fakte lënë pezull dyshimin se ende për fatin e Belinda Ballukut po negociohet dhe se lajmi se ajo do të paraqitet të hënën pranë Prokurorisë së Posaçme për t’u marrë e pandehur nuk është 100% i konfirmuar.
Nga ana tjetër, burime shumë pranë kupolës së pushtetit pohojnë – pa dhënë ndonjë provë të sigurtë për këtë – se nga njëra anë Edi Rama ka marrë njoftim për atë që pritet t’i ndodhë Ballukut, madje se ai ka pranuar marrjen e saj të pandehur, duke shikuar edhe mundësinë e largimit të saj nga qeveria, me kushtin e vetëm që të ruhet prezumimi i pafajësisë dhe asaj mos i rezervohet fati i Veliajt, Beqes, apo Kokës. Kjo do të garantonte ndjekjen e saj në gjendje të lirë dhe do ta lehtësonte mazhorancën politikisht nga pesha e rëndë e votimit për heqjen e imunitetit të numrit dy të qeverisë.
Këtë version duket sikur e mbështeste edhe qëndrimi i kryeministrit në një intervistë për Deutsche Welle, pjesa për Ballukun e së cilës u publikua para kohe nga radioja gjermane. “…siç e kam thënë, ne kemi punën tonë, drejtësia ka punën e vet. Deri kur çështje të caktuara të marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe janë të padënueshëm nga gjykata popullore e politikës dhe medieve që i shërbejnë politikës,” tha kryeministri, duke nënvizuar nocionin e prezumimit të pafajësisë.
A do të përdoret ky nocion për të lehtësuar, për momentin, pozitën e Ballukut, apo ajo do të merret e pandehur javën e ardhshme? Ndonëse ka dëshmitarë të shumtë që pretendojnë se e kanë parë me sy fletëthirrjen e SPAK-ut dhe kërkesën për të qenë e shoqëruar me avokat, asgjë nuk është e sigurtë. Ka shumë shenja që tregojnë se negociatat janë në proces dhe askush nuk mund të vë bast para mëngjesit të së hënës. ©Lapsi.al
