Aksident i rëndë në rrugën e Arbrit, raportohet për disa të lënduar
Një aksident i rëndë është regjistruar këtë të shtunë në rrugën e Arbrit, ku janë përfshirë dy automjete.
Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Vanar”, në Njësinë Administrative Xibër. Automjetet e përfshira në aksident janë një “Opel” dhe një “Volvo”. Të dy automjetet po lëviznin në drejtim të qytetit të Dibrës.
Dëshmitarë okularë thanë se në momentin e aksidentit kishte një autokolonë automjetesh që po udhëtonin drejt Dibrës për fundjavë. Dyshohet se një automjet ka tentuar të ndalojë papritur në rrugë, duke detyruar automjetet e tjera të frenojnë.
Si pasojë, automjeti i fundit i kolonës ka goditur nga pas automjetin e parafundit, në këtë rast “Volvon”, në të cilin udhëtonin katër persona të së njëjtës familje.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe autoambulanca. Të lënduarit janë transportuar për kontroll mjekësor. Sipas bluzave të bardha të Qendrës Shëndetësore Klos, të gjithë të aksidentuarit janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ka nisur punën për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Rruga e Arbrit është zakonisht e ngarkuar me lëvizje gjatë fundjavave, pasi shumë qytetarë që banojnë në Tiranë kthehen në vendlindjet e tyre për të kaluar këto ditë.
