Një aksident i rëndë me përfshirjen e tre automjeteve ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës rreth orës 18:20, në kryqëzimin e Gjadrit. Si pasojë e përplasjes, pesë persona kanë mbetur të plagosur.
Sipas Policisë së Lezhës, një nga automjetet e përfshira drejtohej nga një shtetase e huaj me iniciale N. R.
Dëmtimet kanë përfshirë tre drejtuesit e automjeteve si dhe dy pasagjerë që ndodheshin në automjetin e drejtuar nga shtetasi I. B. Këta dy pasagjerë, bashkëshortja dhe vajza 6-vjeçare e shtetasit I. B., janë transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore. Fatmirësisht, gjendja e tyre shëndetësore paraqitet jashtë rrezikut për jetën.
Një grup hetimor ndodhet aktualisht në vendngjarje dhe po vijon punën për të përcaktuar shkaqet dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat që çuan në këtë aksident.
