Trump Rrit Tarifat për Mallrat Kanadeze, Përgjigje ndaj Reklamës së Ronald Reaganit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se do të rrisë me 10% tarifat për mallrat e importuara nga Kanadaja. Ky vendim vjen pas transmetimit në Ontario të një reklame anti-tarifore, e cila përdorte zërin dhe figurën e ish-presidentit Ronald Reagan.
Në një postim të bërë në platformën Truth Social të shtunën, Trump e cilësoi reklamën si një “mashtrim” dhe akuzoi autoritetet kanadeze për “akt armiqësor”. Ai shprehu pakënaqësi pasi reklama nuk u hoq nga transmetimi përpara ndeshjeve të Serisë Botërore në bejsboll.
“Për shkak të keqinterpretimit të fakteve dhe aktit armiqësor, po e rris tarifën ndaj Kanadasë me 10% mbi nivelin aktual,” shkroi Trump.
Ky reagim erdhi pas një fushate televizive të qeverisë së Ontarios. Fushata citonte një fjalim të ish-presidentit Reagan nga viti 1987, ku ai theksonte se tarifat “dëmtojnë çdo amerikan”.
Fondacioni Ronald Reagan e kritikoi videon, duke e cilësuar si “përdorim selektiv dhe pa leje të materialit historik”.
Kanadaja është vendi i vetëm nga G7 që ende nuk ka arritur një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni tashmë ka vendosur tarifa deri në 35% për mallrat kanadeze, duke përfshirë 50% për metalet dhe 25% për automjetet.
