Opozita Refuzon Koalicionin me Kurtin, Kosova Rrezikon Krizë

DW: Partitë opozitare refuzojnë koalicionin me Albin Kurtin

Albin Kurti paraqet sot para deputetëve përbërjen e kabinetit qeveritar. Ai nuk ka njoftuar nëse ka siguruar shumicën e nevojshme. Partitë aktualisht në opozitë nuk pranojnë të hyjnë në koalicion me Kurtin.

Tetë muaj pas zgjedhjeve, mandatari për formimin e qeverisë së re të Kosovës, Albin Kurti, do të përpiqet sot (26.10.) të sigurojë shumicën e nevojshme në seancën parlamentare për të krijuar qeverinë e re. Pavarësisht insistimit të gazetarëve, kryeministri në detyrë nuk pranoi të zbulojë nëse ka arritur marrëveshje koalicioni me ndonjë nga subjektet politike parlamentare.

Mundësitë për koalicion

Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, fitoi 48 mandate në zgjedhjet e fundit parlamentare. Megjithatë, për të formuar një shumicë të thjeshtë prej 61 votash në parlamentin 120-vendësh, atij i duhen edhe të paktën 11 vota shtesë.

Lëvizja Vetëvendosje ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve me subjektin e dytë për nga numri i deputetëve, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila ka 24 deputetë. Ndërkohë, ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), me 20 deputetë, dhe me Nismën Socialdemokrate, e cila ka vetëm tre deputetë.

Tri partitë kryesore parlamentare, të cilat deri tani ishin në opozitë – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – kanë deklaruar tashmë disa herë se nuk do të hyjnë në koalicion me Vetëvendosjen e Kurtit.

Albin Kurti nuk pranon të bëjë koalicion me Listën Serbe, e cila ka nëntë deputetë, ndërsa ka siguruar votat e disa deputetëve të pakicave joserbe, të cilët së bashku kanë 10 vende në parlament.

Krizë e re institucionale?

Nëse qeveria e re e Kosovës nuk formohet të dielën, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe muajve të tërë përpjekjesh për të krijuar institucionet e reja, Kosova mund të përballet me një krizë të re institucionale.

Në fillim të kësaj jave, gjatë një vizite në Londër, Albin Kurti la të kuptohej se mund të mos jetë në gjendje ta formojë qeverinë e re, duke theksuar se “një zgjidhje alternative është edhe zhvillimi i zgjedhjeve të reja parlamentare”.

Mundësia e një mandatari të dytë

Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës përcakton që, nëse përbërja e propozuar e qeverisë së re nuk merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidentja e Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për të krijuar qeverinë brenda dhjetë ditësh.

Presidentja Vjosa Osmani e ka konfirmuar këtë edhe në një intervistë për DW: “Në qoftë se nuk ka marrëveshje, atëherë, si presidente e vendit, do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën. Mendoj që është ende herët të flitet për zgjedhje të jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë në rast se nuk krijohet shumica”, tha Presidentja Osmani.

Mandatari i dytë për kryeministër, kushdo që të jetë, do të ketë sërish 15 ditë kohë për t’i propozuar Kuvendit përbërjen e qeverisë. Nëse as herën e dytë mandatari nuk arrin të sigurojë shumicë parlamentare, atëherë presidentja e Kosovës është e detyruar të shpallë zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes.

Krizë institucionale disamujorëshe

Që nga data 9 shkurt i këtij viti, kur u mbajtën zgjedhjet e rregullta parlamentare, Kosova ka qenë në krizë institucionale, duke mos arritur të konstituojë Kuvendin e Kosovës dhe as të krijojë qeverinë për muaj të tërë.

Kuvendi u konstituua javë më parë, pa praninë e nënkryetarit të Listës Serbe. Kjo parti kundërshton zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e serbëve të vetëm jashtë kësaj partie, Nenad Rashiq. Ankesa e Listës Serbe tashmë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila po e shqyrton çështjen.

Scroll to Top