Rama komenton prezumimin e pafajësisë ndaj hetimit të SPAK për Belinda Ballukun
Nga Berlini, ku ndodhej për një aktivitet mbi Inteligjencën Artificiale, kryeministri Edi Rama u shpreh të shtunën lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
“Nuk kam asnjë koment për asnjë rast, sepse siç e kam thënë, ne kemi punën tonë, drejtësia ka punën e vet,” deklaroi Rama në një intervistë për Deutsche Welle. Ai shtoi: “Dhe deri kur çështje të caktuara të marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe të padënueshëm nga gjykata popullore e politikës dhe mediave që i shërbejnë politikës.”
Që nga e premtja, kur u publikua lajmi për regjistrimin e një procedimi penal ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku për “shkelje të barazisë në tendera”, institucionet e përfshira kanë ruajtur heshtjen. SPAK, përmes një zëdhënësi, tha se “nuk ka asgjë për të ndarë me median”. Kryeministria dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment të BIRN.
Belinda Balluku i është bashkuar kabinetit të Ramës si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë në vitin 2019 dhe prej më shumë se pesë vitesh kontrollon një nga portofolët më të mëdhenj qeveritarë. Ajo është zv.kryeministrja e dytë e Ramës që përballet me SPAK, pas Arben Ahmetajt. Balluku është gjithashtu një nga ministret më të akuzuara nga opozita, e cila ka depozituar në SPAK disa kallëzime lidhur me kontrata të mëdha publike të dyshuara për korrupsion.
Ende nuk është e qartë se për cilën nga çështjet e denoncuara është regjistruar procedimi penal. Sipas News 24, Balluku ka marrë një fletë-thirrje për t’u paraqitur në SPAK të hënën për një seancë pyetjesh me prokurorët. Megjithatë, në një video të publikuar në Facebook të premten, ajo u shfaq e buzëqeshur, duke udhëtuar me tren nga Zyrihu drejt Bernës në Zvicër.
Të premten, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, denoncoi përmes një statusi në Facebook situatën e presioni ndaj prokurorit që po heton çështjen e zv.kryeministres Balluku. Bardhi shkroi se “prokurori i posaçëm z. Dritan Premçi është nën presion nga brenda SPAK, nga nivelet më të larta të pushtetit, nga segmente të caktuara mediatike apo nga eksponentë të krimit të organizuar.” Ai u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA dhe BE, të monitorojnë nga afër këtë çështje si dhe ato që ai i quajti “ndërhyrje kriminale për t’i lidhur duart prokurorisë”.
