Fati i Gazës pas luftës: Izraeli kërkon përjashtimin e trupave turke nga forca paqeruajtëse
Turqia mund të përjashtohet nga forca stabilizuese prej 5,000 trupash që planifikohet të vendoset brenda Gazës, pasi Izraeli ka shprehur qartë kundërshtimin e tij për pjesëmarrjen e trupave turke.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi se Izraeli dëshiron të ndihet i sigurt përsa i përket kombësisë së forcës shumëkombëshe, e cila do të ngarkohet me parandalimin e një boshllëku sigurie gjatë procesit masiv të rindërtimit në Gaza.
Edhe pse Turqia ka shprehur gatishmërinë për të ofruar trupa, Izraeli ka insistuar se nuk e miraton pjesëmarrjen e tyre në këtë forcë.
Tensionet mes Izraelit dhe Turqisë janë rritur kohët e fundit, pjesërisht për shkak të situatës në Siri. Qeveria izraelite konsideron presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan, si tepër të afërt me Vëllazërinë Myslimane dhe vetë Hamasin.
Megjithatë, përjashtimi i Turqisë nga forca stabilizuese do të ishte një çështje e diskutueshme, pasi ajo është një nga garantueset e marrëveshjes së armëpushimit prej 20 pikash të propozuar nga Trump dhe konsiderohet si një nga ushtritë myslimane më të afta.
Forca stabilizuese pritet të udhëhiqet kryesisht nga Egjipti. Kontribues të tjerë të mundshëm, si Indonezia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, preferojnë që forca të ketë një mandat nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, edhe nëse nuk do të jetë një forcë paqeruajtëse e vetë OKB-së.
Në vend të kësaj, ajo do të koordinohet me një njësi ushtarake të udhëhequr nga SHBA-të, e njohur si Qendra e Koordinimit Civilo-Ushtarak (CMCC), e cila do të ketë selinë në qytetin jugor izraelit Kiryat Gat.
