Bardhi: Balluku shmang SPAK me vizitë në Bullgari

Bardhi: Balluku ka sajuar një vizitë në Bullgari për të shmangur SPAK

Kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, deklaron se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku nuk do të paraqitet të hënën në SPAK, pasi ka organizuar një vizitë në Bullgari.

“Siç e kisha paralajmëruar, për të mos u paraqitur të hënën në SPAK, ku duhet të njihet me akuzën penale për vetëm një nga shumë vjedhjet e saj, Belinda Balluku raportohet se ka sajuar një vizitë në Bullgari. Aty, me siguri, do të mbajë një ‘masterclass’ për përvojën e saj të pasur me tenderat, duke shpjeguar si të zhduken 50 milionë euro si në rastin e tunelit të Llogarasë, si të vidhen 180 milionë euro në shitblerje energjie, si të vidhen 5 milionë euro në një digë hidrocentrali, si në rastin e Zadejës, dhe si të avullohen 80 milionë euro me anije termocentral, të cilat nuk u vunë kurrë në punë,” – ironizon Bardhi.

“Belinda Balluku mund ta shtyjë edhe pak me akrobacitë nëpër trena dhe avionë, por stacioni i saj përfundimtar do të jetë vetëm një: burgu i grave në Peqin. Dhe para se të arrijë stacionin final, herët a vonë, një ndalesë do ta bëjë padyshim së shpejti në SPAK!”, shkruan kreu i grupit parlamentar të PD-së.

SPAK i kishte komunikuar Ballukut të paraqitej me një avokat të hënën, me gjasë për t’i komunikuar zyrtarisht statusin e personit nën hetim. Nuk dihet nëse dhe kur Balluku do të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme.

Scroll to Top