Ahmetaj: Carlo Bollino ka marrë para, Rama shpronësoi tokën e tij për 2.9 mln €
Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ai shpërblen me para mediat që e mbështesin, ndërsa sulmon kundërshtarët.
Ahmetaj akuzoi Karlo Bolinon se është pasuruar nga Edi Rama, ndërsa denoncoi faktin se shteti, pasi shpronësoi tokë për 2.9 milionë euro, ja dhuroi këtë pasuri Karlo Bollinos.
“Çështja e Beketit. Pse nuk e heton Altin Dumani? Çfarë problemi ka që s’e heton? Bëhet fjalë për 130 milionë. Këto janë për shkak të egos perverse të kryeministrit aktual dhe SMS-ve të tij kërcënuese. Janë në dosje. Të kërkojë SPAK-u, të kërkojë dosjen në gjykatën ndërkombëtare komerciale në Nju Jork. Në dosje janë orë dhe printime ekrani. Në çfarë rasti keni parë ju që Irfan Hysenbelliut i premtohet privatizimi, i premtohet realokimi, dhe pastaj i shkatërrohet hoteli, vetëm se ky nuk ka qëndruar siç dëshiron ti. Dhe në anën tjetër ti shpronëson për 2.9 milionë euro një zonjë – nuk e di si e ka emrin ajo zonja që ka qenë tek Vetingu, nuk e di se ku ka qenë – dhe pasi shpronëson tokën për 2.9 milionë euro, ti ia jep shtetit dhe pastaj ia fal Karlo Bollinos. Çfarë janë këto sjellje? Njërin e merr e shkatërron, e shkrin. Këtë tjetrin e merr dhe i fal gjëra. Unë kam ikur. Ato çështje i kam atje. E kam kundërshtuar unë këtë gjënë e Karlo Bollinos. Prandaj Karlo ka vepruar kundër meje dhe vazhdon. Sepse Karlo është pasuruar me para. Karlo është pasuruar me para. Dhe rri aty, turp nuk i vjen. Fenomeni është që një pronar mediash që nuk të qëndron, ti e shkatërron. Një pronar mediash që të qëndron, e kërcënon dhe i jep çfarë të duash. Një pronar tjetër mediash e bën investitor strategjik. Domethënë, sipas dëshirës tënde, se ti je Kim Jongu. Kjo është e gjithë historia. Pra, këto janë gjëra shumë të rëndësishme për t’i thënë”, tha Ahmetaj.
