Arben Ahmetaj: Kam qenë naiv, i kërkoj falje shqiptarëve!
Në intervistën e tij të katërt për Çim Peka, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka shprehur një “mea culpa” për bashkëpunimin e tij me Edi Ramën. Ai është kthyer pas në kohë, duke kujtuar bisedat e hershme me Ditmir Bushatin. Ahmetaj ka pranuar naivitetin e tij politik, duke kërkuar falje publike, dhe ka artikuluar një akuzë ndaj Edi Ramës, të cilin e cilëson si “kreu i organizatës”.
Ahmetaj përshkruan një proces të gjatë, ku fillimisht kishte dyshime, më pas pranime të pjesshme dhe në fund bindjen se ajo që po ndodh në Shqipëri është një model qeverisjeje që e ka shndërruar shtetin në mjet të karteleve të drogës.
“Më tha Ditmir Bushati atëherë: ‘U bëre zv.kryeministër, u forcove…’. ‘Ore djalë,’ i thashë, ‘unë jam në lojë shtesë këtu, nuk u bëra për kreun e organizatës, unë u bëra për rrugë, unë e di çfarë po ndodh.’ Dhe ma ka kujtuar dhe i kërkoj të falur. Unë dy të falura kam, një me popullin shqiptar. Kam bërë një diskutim me Ditmir Bushatin në 2012 dhe më ka thënë. Dhe kam rënë dakord pjesërisht me Ditmirin. E para ishte që ‘Ky është i padenjë të drejtojë shtetin’. Dhe këtu bie dakord. Kur më tha, po pse u ktheve? I thashë, ‘U ktheva për njerëzit në rrugë, nuk u ktheva për atë.’ Më ka ardhur në zyrë, te zyra ime e vogël, aty, ministër shteti. Më ka thënë të lutem, ‘Merru edhe me pandeminë’, le ta mohojë sa të dojë, kreu i organizatës. Te zyra e vogël. I kërkoj të falur Ditmirit se më tha ‘Ky ia ka dorëzuar shtetin krimit të organizuar’. Kam qenë naiv, e kam pranuar. Kjo është falja tjetër që i kërkoj shqiptarëve. Por ndër vite 20-21-23-24-25 nuk është se i ka dorëzuar shtetin krimit të organizuar. Ky e ka kthyer shtetin privat në dorë të karteleve.”
“Zoti Peka, paraja e drogës ka larguar klasën e mesme. Kur ju thoni s’ka njerëz, paraja e drogës është nëna e të gjitha të këqiave në atë vend. Ka ardhur koha aty që të dëgjosh që ‘është jashtë mode të mos kesh në krah një kartel droge, ose të mos merresh me drogë’. Shqipëria kartel droge është Shqipëria e Edi Ramës.”
Ahmetaj tha se Rama ka 4 depozita të interesave financiare: Bashkia e Tiranës, Ministria e Infrastrukturës me plaçkitësen, AKSHI, kopshti i tij privat dhe Shëndetësia – depozita që i përdor për të korruptuar dhe për të blerë zgjedhjet.
Kjo është intervista e katërt e Arben Ahmetajt, ndërkohë që më herët ai ka qenë i pari që ka denoncuar afere të rënda korruptive dhe kriminale si tenderat për tunelin e Llogarasë, grupin e AKSHI-t, etj.
