Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka dhënë një intervistë të katërt për emisionin “Çim Peka Live” në SYRI TV, ku ka bërë deklarata të forta.
Ahmetaj deklaroi se shteti është kthyer në një strukturë mafioze, ku në krye të saj qëndron kryeministri Edi Rama. Ai përmendi gjithashtu persona të tjerë pranë Ramës, duke i cilësuar si “grabitës” dhe duke identifikuar Belinda Ballukun, Erion Veliajn, si dhe një person të katërt, zyra e të cilit ndodhet ngjitur me zyrën e kryeministrit, por të cilit nuk ia përmendi emrin.
Ahmetaj theksoi se familja e tij është kërcënuar dhe se SPAK nuk ka nisur asnjë hetim. Ai shtoi se ka pasur tentativë për rrëmbim dhe eliminim. “Do të më nxirrnin me forcë nga këtu (Zvicra), do të më çonin në Itali dhe më pas do të më dorëzonin te Altin Dumani për të mos dalë më i gjallë,” tha Ahmetaj.
Ai zbuloi se ka marrë mesazhe kërcënuese me jetën për veten dhe fëmijët, mesazhi i fundit i të cilave daton në tetor të vitit të kaluar. I pyetur nëse këto ngjarje lidhen me komunikimin e akuzave ndaj Belinda Ballukut në Shqipëri, Ahmetaj shprehu shpresën se “kjo të mos kishte lidhje”.
