Skandal te klubi i njohur anglez: Akuza për ngacmime seksuale ndaj pronarit
Pronari i klubit të Uest Hem, David Sullivan, është vënë nën vëzhgimin e drejtësisë britanike, përballë akuzave për sjellje seksuale shfrytëzuese ndaj vajzave të reja dhe adoleshenteve. Sipas një hetimi të përbashkët të “BBC” dhe “Times”, shtatë gra kanë ngritur pretendime kundër 77-vjeçarit.
Disa prej tyre e akuzojnë se ka ushtruar presion për marrëdhënie seksuale në këmbim të favoreve profesionale, ndërsa të tjera e përshkruajnë sjelljen e tij si grabitqare. Pretendimet përfshijnë gjithashtu akuza se Sullivan ka paguar për marrëdhënie seksuale me një vajzë 16 ose 17-vjeçare gjatë viteve ’90. Megjithatë, sipas raporteve, një veprim i tillë nuk konsiderohej vepër penale sipas ligjit britanik deri në vitin 2003.
Pas publikimit të këtyre akuzave, Rregullatori i Pavarur i Futbollit (IFR) ka nisur një hetim për të vlerësuar përshtatshmërinë e Sullivan si pronar klubi. Institucioni ka deklaruar se bëhet fjalë për akuza “jashtëzakonisht serioze” dhe se do të përdorë kompetencat ligjore për të kërkuar informacion urgjent. IFR, i krijuar vitin e kaluar për të mbikëqyrur standardet e drejtimit në futbollin anglez, ka autoritetin të ndërhyjë në rastet kur sjellja e drejtuesve mund të dëmtojë integritetin dhe reputacionin e sportit.
Nën presionin e zhvillimeve të fundit, Sullivan ka dhënë dorëheqjen nga posti i bashkëkryetarit të Uest Ham gjatë fundjavës, duke përmendur publikimin e afërt të akuzave historike. Megjithatë, ai mbetet aksioneri më i madh i klubit londinez me 38.8% të aksioneve. Mediat britanike raportojnë se, nëse hetimi konstaton se Sullivan nuk plotëson kriteret e përshtatshmërisë, rregullatori mund ta detyrojë atë të shesë pjesën e tij në klub.
Nga ana tjetër, biznesmeni britanik ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat. Në një deklaratë publike, ai i cilësoi pretendimet si “plotësisht të rreme dhe faktikisht të pasakta”, ndërsa paralajmëroi se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër “BBC”-së për shpifje.
Hetimi është ende në fazat fillestare dhe deri më tani nuk është ngritur asnjë akuzë penale ndaj Sullivan. Megjithatë, çështja ka shkaktuar reagime të forta në futbollin anglez dhe mund të ketë pasoja të rëndësishme për të ardhmen e tij te Uest Hem.
