Balla ironizon opozitën në Kuvend: “Jeni si flamingo nga Temu”, projekti në Zvërnec do të realizohet pasi nuk do të humbim 4 miliardë euro investim
Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka ironizuar opozitën, duke i cilësuar ata si “flamingo nga Temu”. Gjatë fjalës së tij në Parlament, Balla deklaroi se projekti në zonën e Zvërnecit do të realizohet, duke theksuar se Shqipëria nuk ka luksin ta humbasë një investim prej 4 miliardë eurosh.
“Ky ishte fiks një fjalim i një flamingo nga Temu. Më pëlqeu shumë që ju zogjtë e bufit ju duket vetja si flamingo, edhe pse me respektin më të madh, kush ju ka komanduar ju?” tha Balla. Ai shtoi se opozita mund të bëjë zhurmë dhe të protestojë, por Partia Socialiste do të kundërshtojë katër ligjet e propozuara nga ata, pasi janë votuar për të zhvilluar Shqipërinë.
“Një javë më parë dolët me kryedrejtuesin tuaj, bufin e madhe, dhe thatë që jeni pro investimit. Tani, kush është qëllimi i këtyre 4 ligjeve? Jeni pro apo kundër investimit? Ne jemi pro dhe investimi do të bëhet. Shqipëria nuk ka luksin të humbasë 4 miliardë euro. Pse bëheni qesharakë?” pyeti Balla.
Ai iu referua gjithashtu deklaratave të opozitës, duke përmendur një deputete të PD-së, e cila kishte cituar zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme të Iranit. “Pashë edhe një deputete të PD-së, e cila tha që jemi këtu kundër sistemit. Kundër kujt sistemi? Në një protestë ku thirret Berisha në burg…” tha Balla. Ai përfundoi duke theksuar se Partia Socialiste nuk kompleksohet, pasi e dinë mirë kontratën që kanë me qytetarët.
