Berisha: Vrasja e Gilmando Danit u krye me komando, Rama dhe Ergys Agasi dhanë urdhër
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për krijimin e një “zyre krimi” së bashku me Ergys Agasin, duke pretenduar se ata kanë dhënë urdhra për vrasjen e Gilmando Danit në Rinas. Berisha shkoi më tej duke deklaruar se Gilmando Dani u vra nga komando të policisë.
“E vrau Ergys Agasi, e vrau Edi Rama. A mundet një kryeministër, njeri i ligjit, i fuqisë ekzekutive të mbajë një zyrë krimi dhe të jetë nga njëra anë të paraqitet para qytetarëve dhe nga ana tjetër të veshë rrobat e Ergys Agasit dhe të bëjë akte që kundërshtojnë ligjin?”, tha Berisha.
Sali Berisha shtoi: “Ky është shembulli më i fundit. Nuk ekziston në realitet, zyra Agasi. Jo! A mund ta imagjinoni ju një kryeministër që ka në varësi policinë, ushtrinë, SHISH, të mbajë një zyrë krimi ku të thërrasë ministrat, të thirren gjykatësit, të organizohen vrasje në sheshe siç ishte ajo e Rinasit? Ai u vra nga komando të policisë. E vrau Ergys Agasi, e vrau Edi Rama. A mundet një kryeministër, njeri i ligjit, i fuqisë ekzekutive të mbajë një zyrë krimi dhe të jetë nga njëra anë të paraqitet para qytetarëve dhe nga ana tjetër të veshë rrobat e Ergys Agasit dhe të bëjë akte që kundërshtojnë ligjin.”
“Ai ka përvetësuar për familjen e tij miliona euro. Ky është një aspekt. Tjetri më i paimagjinueshëm është njeriu që i bënte këto, bënte vrasje, shkarkonte dhe emëronte ministra. Nuk mund të ketë përbuzim më të madh për shqiptarët.”
