Banorët përballë policisë në Rrjoll, vetëm opozita e re në terren
Dita e tretë e protestave në Rrjoll, Velipojë, u shoqërua sërish me përplasje mes banorëve dhe policisë. Zëri i komunitetit u mbështet vetëm nga deputetët e opozitës së re, të cilët shkuan në terren për të denoncuar atë që banorët e quajnë grabitje prone dhe shkelje të ligjit.
Banorët tentuan të bllokonin makineritë e punimeve, duke argumentuar se nisja e tyre është e paligjshme, pasi në ditët në vijim pritet të zhvillohet seanca gjyqësore për pronësinë e tokës.
Tensionet me forcat e policisë u përshkallëzuan, ndërsa një banor humbi ndjenjat dhe mbeti në pritje të ambulancës.
Në vendin e ngjarjes ishin të pranishëm deputeti Erald Kapri nga Partia Mundësia dhe deputeti Redi Muçi nga Lëvizja Bashkë. Ata u shprehën në mbështetje të banorëve dhe kërkuan ndalimin e punimeve përderisa ka protesta. Sipas tyre, ndërhyrja në pronë pa u shteruar rruga ligjore përbën precedent të rrezikshëm dhe cenon rëndë të drejtat e qytetarëve.
Deputetët theksuan se protestuesit nuk po kërkojnë privilegje, por zbatim të ligjit dhe respektim të pronës private.
Ndërkohë, mungesa e përfaqësuesve të tjerë politikë nga opozita dhe mazhoranca në terren u vu re nga banorët, të cilët shprehën zhgënjim se zëri i tyre po injorohet, pavarësisht tensioneve dhe rrezikut për shëndetin e protestuesve.
Protestat në Rrjoll pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa komuniteti kërkon pezullimin e çdo veprimi deri në vendimin e gjykatës dhe transparencë të plotë mbi ligjshmërinë e projektit.
