Alarm për bombë në Toptani, policia konfirmon alarm të rremë

Alarmi për bombë në qendrën tregtare në Tiranë, policia konfirmon alarm të rremë

Qendra tregtare “Toptani” në Tiranë u evakuua mbrëmjen e sotme pas një alarmi për bombë, i cili më pas rezultoi i rremë. Sipas informacioneve, sinjali i alarmit u dha pasi shefi i sigurisë mori një email ku pretendohej se në ambientet e godinës ishte vendosur një sasi lëndë plasëse që do të shpërthente në orën 20:30.

Pas njoftimit, klientët dhe stafi u nxorën menjëherë jashtë, ndërsa policia ndërhyri duke kryer kontrolle të detajuara me qen nuhatës. Në përfundim të verifikimeve, autoritetet konfirmuan se bëhej fjalë për një alarm fals.

Njoftimi i policisë:

  • Rreth orës 20:10, shtetasi A. D. ka njoftuar sallën operative të DVP Tiranë se në adresën e tij email ka ardhur një mesazh ku pretendohet se në qendrën tregtare ku ai punon si shef sigurie është vendosur një sasi lëndë plasëse, e cila do të shpërthejë në orën 20:30.
  • Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, Forcat Xheniere dhe shërbimet e Antiterritorit, të cilët kanë kontrolluar qendrën dhe nuk kanë konstatuar asgjë të paligjshme.
  • Grupi hetimor po punon për identifikimin e shtetasit që ka dërguar emailin dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Scroll to Top