Zbardhet struktura e “Albanian Digital Solution” me 350 punonjës, ja funksionet
Pas vendimit për krijimin e shoqërisë së re aksionare shtetërore “Albanian Digital Solution” (ADS), e cila ka marrë tashmë një kapital fillestar prej 700 milionë lekësh nga buxheti i shtetit, zbardhet edhe struktura e plotë organizative e këtij entiteti të ri publik. Me një organikë të projektuar prej 345 punonjësish, kjo kompani, e ngjashme me AKSHI-n, pritet të ketë një peshë financiare të konsiderueshme mbi buxhetin e shtetit. Kjo vjen për shkak të premtimit publik për të aplikuar paga të larta, konkurruese me sektorin privat, me qëllim tërheqjen e ekspertëve më të mirë të tregut të teknologjisë.
Dokumenti zyrtar tregon një strukturë piramidale ku në krye qëndron Asambleja e Përgjithshme, e ndjekur nga Këshilli Mbikëqyrës dhe Administratori. Administratori drejton gjithashtu një Kabinet të dedikuar dhe Njësinë e Auditit të Brendshëm. Poshtë tyre, aktiviteti operacional është ndarë në pesë departamente kryesore:
- Departamenti i Strategjisë dhe Projekteve (22 punonjës), i cili do të fokusohet në menaxhimin e projekteve, analizën e biznesit dhe strategjitë e inovacionit.
- Departamenti i Zhvillimit dhe Transformimit Digjital (rreth 101 punonjës). Ky departament përfshin Zhvillimin e Software-ve (26 punonjës), DevOps dhe Cloud, Arkitekturën e Sistemeve, Inteligjencën Artificiale & Analitikën (10 punonjës) dhe një grup prej 49 punonjësish në ekipet e dedikuara.
- Departamenti i Operimeve dhe Infrastrukturës (77 punonjës), do të kujdeset për mirëmbajtjen e përditshme, mbështetjen teknike (22 punonjës), menaxhimin e të dhënave në Data Center dhe Rrjetin e Komunikimeve.
- Departamenti i Sigurisë Kibernetike (46 punonjës). Ky departament përfshin Qendrën e Operacioneve të Sigurisë (SOC) me 21 punonjës, një “Red Team” për testime sulmesh, një njësi CSIRT për reagim ndaj rreziqeve dhe sektorin e Qeverisjes së Riskut.
- Departamenti Korporativ (49 punonjës) mbulon pjesën administrative, duke përfshirë Financën, Burimet Njerëzore, Drejtorinë Juridike dhe Prokurimet.
Kostoja e personelit nuk është bërë e ditur zyrtarisht, por pagat aktuale në tregun e TIK-ut në Shqipëri për pozicione të nivelit të lartë, ku pagat mesatare për programuesit, ekspertët e sigurisë dhe inxhinierët cloud variojnë nga 1,500 euro deri në mbi 3,000 euro neto në muaj, sugjerojnë një shpenzim të konsiderueshëm. Ky nivel shpenzimesh shpjegon edhe arsyen pse qeveria i ka dhënë kësaj kompanie të drejtën të operojë si një biznes privat. Ajo do të lejohet të caktojë vetë çmimet e shërbimeve dhe kostot operacionale për institucionet shtetërore që i drejtohen, si dhe të gjenerojë të ardhura nga ofrimi i shërbimeve për kompanitë private, duke u përpjekur të vetëfinancohet përtej kapitalit fillestar shtetëror.
Funksionet zyrtare të ADS
Sipas funksioneve të përcaktuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, qeveria shqiptare ka përcaktuar zyrtarisht gamën e plotë të operacioneve për Shoqërinë e re aksionare shtetërore. Objekti i veprimtarisë ADS shtrihet nga administrimi i infrastrukturës publike deri te partneritetet strategjike me sektorin privat, brenda dhe jashtë vendit. Në qendër të misionit të kësaj shoqërie është zhvillimi, operimi, mirëmbajtja dhe mbështetja teknike e sistemeve dhe platformave digjitale, si dhe administrimi i plotë i infrastrukturave të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Përtej funksioneve të pastra qeveritare, Shoqëria do të ketë një shtrirje të gjerë edhe në tregun e lirë, duke ofruar shërbime digjitale dhe mbështetje për transformimin teknologjik si për institucionet publike, ashtu edhe për subjektet private. Për të realizuar këtë, legjislacioni i ri e njeh kompaninë me të drejtën për të kryer aktivitete studimore, projektuese dhe konsulenca të specializuara në fushën e TIK-ut, si dhe për të ofruar shërbime të tjera shtesë që përputhen me qëllimin e krijimit të saj.
Një element kyç që dëshmon fleksibilitetin e kësaj strukture është liria e zgjeruar në operacionet tregtare dhe financiare. Për të përmbushur objektivat e saj, Shoqëria është e autorizuar të bashkëpunojë ngushtë me persona fizikë dhe juridikë, vendas apo të huaj. Mbi të gjitha, statusi i ri e lejon atë të investojë drejtpërdrejt ose tërthorazi, duke hapur veprimtari të reja, duke krijuar shoqëri të tjera, apo duke marrë pjesë me kapital në kompani të ndryshme brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Kjo strukturë e re ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi dublimin e mundshëm të funksioneve me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Në letër, qeveria ka tentuar të ndajë rolet duke e pozicionuar AKSHI-n si autoritetin rregullator, strategjik dhe pronarin e të dhënave që harton politikat digjitale, ndërsa ADS-në si krahun operacional që bën punën praktike në terren. Megjithatë, objekti i gjerë i punës së ADS-së në fushën e mirëmbajtjes së e-Albania-s dhe sigurisë kibernetike përputhet pothuajse plotësisht me kompetencat që ka pasur AKSHI deri më sot. Dallimi kryesor mbetet te fleksibiliteti tregtar, pasi ADS, si shoqëri aksionare, nuk ka tavan pagash për ekspertët, mund të marrë kredi dhe mund të ofrojë shërbime me pagesë për kompanitë private. Suksesi i kësaj reforme do të varet nga aftësia e të dy strukturave për të mos mbajtur stafe paralele teknike për të njëjtat shërbime, çka do të shmangte një fryrje të panevojshme të shpenzimeve publike.
