Një anije me flamur iranian u godit në orët e para të së enjtes në Gjirin e Omanit, sipas deklaratave të guvernatorit të qarkut Shirik në Iran, të raportuara nga agjencia e lajmeve Mehr News Agency.
Sipas zyrtarit iranian, anija rreth 150 tonëshe, në pronësi të banorëve të rajonit Shirik, po transportonte mallra bazë nga porti i Khasabit në Oman drejt Iranit kur u godit nga një raketë e dyshuar amerikane.
Ngjarja ndodhi rreth pesë milje detare nga porti i Khasabit, në një zonë detare me rëndësi strategjike pranë Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Autoritetet lokale në Shirik bëjnë me dije se të pesë anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan nga anije kalimtare që ndërhynë menjëherë pas incidentit, dhe u transportuan në Oman në gjendje të mirë shëndetësore.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Shtetet e Bashkuara lidhur me pretendimet për përfshirje në sulm, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
