Anije turistike ngec në Danub, evakuohen 238 persona

VIDEO/ Anije turistike ngec në Danub, 238 persona evakuohen pas uljes së nivelit të lumit në Bullgari

Një anije turistike me 238 persona në bord ka ngecur në lumin Danub pranë qytetit të Vidinit në Bullgari, si pasojë e nivelit të ulët të ujit.

Sipas Ministrisë së Brendshme bullgare, 186 pasagjerë dhe 52 anëtarë të ekuipazhit janë evakuuar në mënyrë të sigurt nga ekipet e rojës kufitare.

Anija me flamur zviceran, “Viking Ullur”, mbeti e bllokuar rreth orës 02:20 të mëngjesit, rreth 25 kilometra larg Vidinit. Autoritetet raportojnë se incidenti ka ndodhur gjatë natës, kur dukshmëria ishte e kufizuar, dhe shkaku kryesor dyshohet të jetë niveli i pazakontë i ulët i Danubit.

Për arsye sigurie, pasagjerët janë transferuar me mjete lundruese të rojës kufitare. Kompania që operon anijen ka tentuar të sillte një varkë tjetër për transportin e tyre, por ajo nuk ka arritur të afrohet pranë mjetit të bllokuar.

“Viking Ullur” po lundronte në itinerarin Budapest–Rumani dhe mbante turistë nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Anija pritej të ndalonte në portin e Vidinit për furnizim me karburant, ndërsa burimet sugjerojnë se rezervat e ujit të pijshëm po shkonin drejt përfundimit.

Pamjet e publikuara nga policia bullgare tregojnë pasagjerë me jelekë shpëtimi teksa ndihmohen të hipin në varkat e shpëtimit.

Ky incident vjen në një periudhë kur Europa po përballet me temperatura të larta dhe thatësirë, duke shkaktuar rënie të ndjeshme të nivelit të Danubit, një prej lumenjve më të rëndësishëm të kontinentit, që përshkon dhjetë vende evropiane.

Scroll to Top