“`html
Profesionistët e lirë i drejtohen QKB-së: Bizneset rrezikojnë gjoba, nevojitet sqarim për pasqyrat financiare
Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) i është drejtuar ditën e sotme me një shkresë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), duke kërkuar një qëndrim zyrtar lidhur me informacionet që po u jepen bizneseve të organizuara si persona juridikë, për detyrimin e depozitimit dhe publikimit të pasqyrave financiare në QKB, pavarësisht xhiros së tyre vjetore.
Aktualisht, legjislacioni në fuqi për kontabilitetin dhe për Tatimin mbi të Ardhurat parashikon që, pavarësisht mënyrës së organizimit të bizneseve (qofshin persona juridikë apo shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), detyrimi për depozitimin në QKB të pasqyrave financiare është vetëm për bizneset me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë.
Sipas APL-së, interpretimet e ndryshme të legjislacionit kanë krijuar paqartësi te profesionistët dhe bizneset, duke shtuar rrezikun e penaliteteve për mosdorëzimin e pasqyrave financiare. Anëtarët e APL raportojnë se, në rast të mosrespektimit të detyrimit për depozitim, bizneset gjobiten me 60 mijë lekë.
Për këtë arsye, APL vlerëson si të domosdoshme një qëndrim zyrtar të QKB-së për të garantuar siguri juridike për profesionistët dhe subjektet, duke shmangur interpretimet e ndryshme në zbatimin e legjislacionit dhe duke parandaluar penalitetet e panevojshme.
Detaje nga shkresa e Aleancës së Profesionistëve të Lirë drejtuar QKB-së:
- Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL), e përbërë nga kontabilistë të miratuar, shefa finance dhe auditues ligjorë, ka marrë shqetësime nga anëtarët lidhur me detyrimin e depozitimit dhe publikimit të pasqyrave financiare nga mikro-entitetet ekonomike me të ardhura nën 5 milionë lekë.
- Është krijuar përshtypja se të gjithë personat juridikë kanë detyrimin për depozitimin e pasqyrave financiare, pavarësisht nivelit të të ardhurave, por ky interpretim duket se nuk përputhet me kuadrin ligjor aktual.
- Ndryshimet në Standardet Kombëtare të Kontabilitetit (SKK) 15, të miratuara në vitin 2022, të cilat zgjerojnë fushën e zbatimit për të gjitha mikro-entitetet, janë shtyrë me Urdhrin nr. 291, datë 30.12.2022, dhe hyjnë në fuqi vetëm për periudhat kontabël që fillojnë nga 1 janari 2028.
- Deri në hyrjen në fuqi të këtyre ndryshimeve, detyrimi për hartimin, depozitimin dhe publikimin e pasqyrave financiare sipas SKK 15 zbatohet vetëm për mikro-entitetet që realizojnë mbi 5 milionë lekë të ardhura vjetore nga veprimtaria ekonomike, në përputhje me Urdhrin e Ministrit të Financave nr. 26, datë 8.9.2023, neni 61, pika 6.
- Forma e organizimit të subjektit (person juridik apo person fizik) apo regjimi i tatimit mbi të ardhurat nuk përbëjnë kritere ligjore për përcaktimin e këtij detyrimi. Klasifikimi si mikro-entitet rregullohet nga legjislacioni i kontabilitetit dhe bazohet në kriteret e përcaktuara në ligjin nr. 25/2018 ose ligjin nr. 29/2023, bashkë me aktet nënligjore.
APL thekson nevojën për një qëndrim zyrtar nga QKB, duke falënderuar paraprakisht për vëmendjen dhe duke pritur një përgjigje.
“`
