Shqiptarët paguan 11 milionë euro më shumë në mars vetëm nga shtrenjtimi i naftës
Në ditët e para të marsit, përdoruesit e automjeteve u përballën me një rritje të ndjeshme të çmimit të naftës në vend. Çmimi kërceu nga 175 lekë për litër, nivel që kishte qëndruar i pandryshuar për gati dy vjet, në 179 lekë për litër.
Rritja e çmimeve u bë e pandalshme në ditët në vijim, si pasojë e shtrenjtimit të naftës në bursat ndërkombëtare, pas nisjes së sulmeve ndaj Iranit, gjë që shkaktoi kaos në tregjet globale. Më 17 mars, nafta arriti në 200 lekë, ndërsa vetëm dy ditë më pas shkoi në 214 lekë. Edhe pse qeveria riaktivizoi Bordin e Transparencës, çmimet patën një ulje të përkohshme për dy ditë, duke zbritur në 203 lekë, por në fund të marsit kërceu sërish në 218 lekë për litër.
Mesatarisht, një litër naftë kushtoi 200 lekë gjatë muajit mars, duke shënuar një rritje prej 14% krahasuar me periudhën paraardhëse. Pavarësisht rritjes së çmimeve, kërkesa për naftë jo vetëm që nuk ra, por u rrit. Kjo tregon se nafta është një produkt i domosdoshëm me kërkesë joelastike, që do të thotë se nuk ndikohet në mënyrë të ndjeshme nga ndryshimet e çmimit.
Të dhënat zyrtare nga Dogana treguan se konsumi i naftës në mars ishte 35.8 mijë ton, krahasuar me 33.8 mijë ton në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje prej gati 6%. Operatorët e tregut gjithashtu pohuan se nuk kanë vërejtur rënie të konsumit në mars, pavarësisht shtrenjtimit të çmimeve.
Sistemi i dobët i transportit publik, i cili mbështetet kryesisht në autobusë, detyron shumë individë të përdorin automjete personale për të shkuar në punë ose për të shoqëruar fëmijët në shkollë. Konsumi mbetet i lartë edhe për lëvizjet gjatë fundjavës.
Të dhëna të tjera nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) konfirmuan të njëjtën tendencë: kriza në Lindjen e Mesme dhe shtrenjtimi i karburanteve nuk kanë ndikuar në prirjen në rritje të shqiptarëve për të blerë automjete, të paktën gjatë muajve të parë të vitit. Në mars u regjistruan për herë të parë 7,891 automjete në vend, me një rritje prej 15% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak. Ky është rekordi historik i regjistrimeve të reja të automjeteve për muajin mars.
E njëjta tendencë vërehet edhe për të gjithë tremujorin e parë të vitit. Pas një rënieje prej 7.6% në janar, regjistrimet u rritën me 20.6% në shkurt. Në total për tremujorin e parë, në vend janë shtuar rreth 22 mijë mjete të reja, shumica e të cilave autovetura, duke shënuar një rritje vjetore prej 8.4%. 60% e këtyre makinave të regjistruara për herë të parë ishin me naftë.
11 milionë euro më shumë, vetëm nga shtrenjtimi i çmimit
Në mars, konsumi i naftës arriti në 35.8 mijë ton, ose rreth 42.4 milionë litra. Për të blerë këtë sasi, përdoruesit e automjeteve kanë shpenzuar rreth 8.5 miliardë lekë, ose rreth 87 milionë euro, me një çmim mesatar prej 200 lekë për litër. Nëse kjo sasi do të ishte blerë me çmimin prej 175 lekë për litër, shpenzimi do të kishte qenë 7.4 miliardë lekë, ose 1.05 miliardë lekë (rreth 11 milionë euro) më pak.
Konsumi i naftës në Shqipëri mbetet i lartë, pasi pjesa më e madhe e automjeteve në qarkullim përdorin këtë karburant. Sipas të dhënave nga DPSHTRR deri në fund të shkurtit, në vend kishte aktive 1.06 milionë mjete. Nga këto, rreth 732 mijë, ose gati 70%, përdorin naftën. Rreth 210 mijë automjete, ose gati 20%, përdorin benzinë, ndërsa rreth 84 mijë, ose 8% e totalit, përdorin gaz.
Regjistrimi i makinave elektrike është në rritje, veçanërisht në mars, pas shtrenjtimit të naftës, por pesha e tyre ndaj totalit mbetet minimale, vetëm 1.3%. Aktualisht, rreth 15 mijë mjete elektrike qarkullojnë në vend, nga mbi 1 milionë total, dhe rreth 8 mijë të tjera janë hibride (karburant + elektrike).
