Arbitri Marciniak kundërpërgjigjet për Inter-Barcelonën

Një tifoz i Barcelonës nuk i ka falur arbitrit polak, Szymon Marciniak, ndeshjen kundër Interit të Ligës së Kampioneve, ndërsa ky i fundit i është kundërpërgjigjur duke deklaruar se vendimet fillestare favorizonin katalanasit, por VAR-i ndryshoi gjithçka.

Të gjithë mbajnë mend ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve të sezonit të kaluar midis Interit dhe Barcelonës, ku në fund fituan zikaltërit dhe siguruan finalen e madhe. Arbitri i kësaj sfide, polaku Szymon Marciniak, u kritikua gjerësisht për mënyrën se si e drejtoi ndeshjen.

Ndeshja e luajtur në “San Siro” ishte plot emocione dhe përfshiu dy incidente të cilat u analizuan nga VAR-i dhe rezultuan vendimtare. Njëri ishte një penallti e akorduar për një faull nga Cubarsí ndaj Lautaro Martínez, dhe tjetra ishte një penallti fillimisht dhënë për një faull nga Lamine Yamal, e cila më vonë u anulua pasi ndodhi pak jashtë zonës së rreptësisë.

Afro një vit më vonë, gjatë një eventi në Poloni, një tifoz i Barcelonës i shprehu pakënaqësinë e tij arbitrit për performancën e tij. Marciniak nuk u shmang nga pyetja dhe mbrojti punën e tij, duke argumentuar se vendimet e tij fillestare ishin në favor të Barcelonës, edhe pse VAR-i në fund i ndryshoi ato.

“Ende nuk mund t’ju fal për gjykimin e ndeshjes Inter-Barcelona”, i tha tifozi.

Marciniak u përgjigj: “Nuk ka asgjë për të falur, nëse jemi të sinqertë. Nga perspektiva ime, nuk ka asgjë për të falur. Nëse jeni të sinqertë, vendimet e mia favorizuan Barcelonën. Nuk akordova penallti për Interin dhe VAR më thirri dhe më tregoi pamjet e përsëritura. Së dyti, akordova një penallti, dhe ata më korrigjuan sepse isha katër ose pesë centimetra jashtë zonës. Nëse jemi të sinqertë, pati dy vendime në favor të Barcelonës, por VAR-i i përmbysi ato. Kështu është jeta.”

Përveç këtyre rastesh, Barcelona u ankua edhe për një prekje të mundshme me dorë nga Acerbi brenda zonës dhe për një faull nga Dumfries ndaj Gerard Piqué në prag të golit që çoi ndeshjen në kohën shtesë.

Scroll to Top