Arrestime për skemë mashtrimi me ilaçet e astmës

Arrestime: Si vidheshin paratë e ilaçeve për astmën nga Fondi i Rimbursimeve

Spartak Zekja, ish-kreu i Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), i larguar nga ky post vetëm rreth një muaj më parë, është arrestuar. Ai akuzohet se është përfshirë në një skemë mashtrimi me ilaçet e rimbursueshme, të përdorura për trajtimin e sëmundjeve kronike të frymëmarrjes.

Largimi i Zekjës nga posti i kreut të FSDKSH më 23 shtator 2025 dyshohet se ka qenë i lidhur me këtë çështje. Ministria e Shëndetësisë emëroi Arti Papajanin në vend të tij.

Zekja, së bashku me tre zyrtarë të FSDKSH, administratorin e një kompanie farmaceutike dhe dy pronarë farmacish, akuzohen se kanë falsifikuar dokumente duke krijuar inventarë fiktivë të barnave me vlerë mbi 700 mijë euro. Qëllimi ka qenë përfitimi i fondeve të rimbursimit nga FSDKSH.

Në kuadër të hetimit penal nr. 4472, të vitit 2025, të Prokurorisë së Tiranës, është shpallur në kërkim edhe administratori i kompanisë farmaceutike “CFO Pharma”, Frigul Milla.

Në gjendje të lirë nga hetimi i prokurorisë së Tiranës, janë tre zyrtarë të FSDKSH dhe dy pronarë farmacish.

Sipas prokurorisë, Frigul Milla, administrator i subjektit “CFO Pharma”, ka përdorur dy subjekte të tjera, “Pharma Plus” dhe “Nedix Albania”, si dhe administratorët e tyre, për qëllime përfitimi. Ai ka paraqitur të dhëna të rreme, duke pretenduar se ka blerë medikamente nga këto subjekte. Medikamentet në fjalë janë krijuar në inventarin e “Nedix Albania” dhe “Pharma Plus” në sistemin “edepo” (Shërbimi digjital), duke falsifikuar kështu inventarin dhe faturat e blerjes.

Këto veprime kanë mundësuar që këto dy subjekte të kenë mundësi shitjeje të medikamenteve “Foster” dhe “Trimbow” drejt subjektit “CFO Pharma”.

Të hetuar dhe masat e marra:

  • Spartak Zekja, Kreu i FSDKSH – Arrest me burg
  • Frigul Milla, administrator i “CFO Pharma” – Në kërkim
  • Alba Zylfo, pronare farmacie – Ndalim i daljes jashtë shtetit dhe Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore
  • Lorela Ballabani, pronare farmacie – Ndalim i daljes jashtë shtetit dhe Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore
  • Romina Agalliu, zyrtare e FSDKSH – Ndalim i daljes jashtë shtetit dhe Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore
  • Zade Mali, zyrtare e FSDKSH – Ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore
  • Esjana Gjishti, zyrtare e FSDKSH – Ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore

Ilaçet e astmës “Foster” dhe “Trimbow” janë dy barna që përdoren për trajtimin e sëmundjeve kronike të frymëmarrjes, si astma bronkiale dhe Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike (SPOK/COPD).

Hetimet kanë nisur pas kallëzimit të shtetasit Ilir Shehu, administrator i subjektit “Medicamenta”. Ky subjekt është importues ekskluziv farmaceutik, i licencuar dhe kontraktuar me FSDKSH për rimbursimin e disa barnave. Ai ka denoncuar se subjekti “CFO Pharma” dhe subjektet “Pharma Plus” e “Medix Albania”, në bashkëpunim me nëpunës publikë të FSDKSH, kryejnë veprimtari të kundërligjshme. Kjo veprimtari konsiston në shitje dhe blerje fiktive të produkteve “Foster” dhe “Trimbow”, duke përfituar kështu fonde rimbursimi nga FSDKSH në shuma të konsiderueshme monetare, bazuar në inventarë fiktivë.

“Nga të dhënat e publikuara nga Fondi për konsumin e barnave, të dhënat e kallëzuesit për import-eksport dhe shitje, por veçanërisht nga të dhënat në drejtorinë e statistikës pranë Fondit, u konstatua një skemë e organizuar me qëllim përfitimi korruptiv të fondeve të rimbursimit në vlera shumë të mëdha. Në qëndër të kësaj skeme të organizuar qëndron distributori farmaceutik ‘CFO Pharma’ në bashkëpunim me zyrtarë të FSDKSH,” informon prokuroria.

Shpërndarësit “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” janë themeluar “de facto” nga pronari i “CFO Pharma”. Ata kanë lidhur kontratë me FSDKSH, ku kanë deklaruar shifra fiktive për gjendjen fillestare të inventarit, me qëllim shitjet më pas fiktive drejt “CFO Pharma” e më pas në farmaci.

Subjekti “Pharma Plus” ka deklaruar 2000 kuti “Foster” dhe 1107 kuti “Trimboë” në vlerë 10 milionë lekë të reja, pa kryer asnjë blerje reale. Subjekti “Medix Albania” ka deklaruar 4000 kuti “Foster” dhe 11 500 kuti “Trimboë”, në vlerë 60 milionë lekë, gjithashtu pa asnjë blerje.

“Fakti i miratimit të këtyre inventareve fiktive, si dhe lidhja e kontratave të këtyre subjekteve nga zyrtarë të FSDKSH, tregon qartë përfshirjen e zyrtarëve të Fondit si pjesë e kësaj skeme. Shitjet fiktive të ‘Pharma Plus’ dhe ‘Medix Albania’ janë bërë drejt ‘CFO Pharma’, e cila ka lëshuar fatura fiktive drejt disa farmacive,” informoi sot prokuroria e Tiranës.

Scroll to Top