Performanca e dobët, shkarkohen drejtorët e Kadastrës në Vlorë dhe Sarandë
Ka sërish lëvizje në Kadastrën e Vlorës. Lapsi.al mëson se drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Vlorës, Genc Deromemaj, për shkak të performancës së dobët në trajtimin e aplikimeve të qytetarëve dhe shërbimet që ofron ky institucion.
Bashkë me të, Goxhobelli ka firmosur shkarkimin edhe për drejtorin e Kadastrës në Sarandë, Ilir Çibuku, me po të njëjtin motivacion.
Kujtojmë që Genc Deromemaj vinte nga radhët e Partisë Demokratike dhe emërimi i tij muaj më parë shkaktoi jo pak debat e habi.
Në Kadastrën e Vlorës dhe Sarandës, janë dy drejtori që kanë volum të lartë shërbimesh dhe interesi, edhe për shkak të pronave në zona bregdetare me potencial të lartë zhvillimi.
Aktualisht, në këto drejtori janë komanduar persona të brendshëm në pozicionet drejtuese deri në emërimin e drejtorëve të rinj.
