Arrestohen 3 persona për mashtrim me bursa fiktive

Mashtronin shtetas të huaj për t’i bërë të investonin në bursa fiktive, tre të arrestuar

Një ambient në zonën e Selitës, i përshtatur si call center, ku mashtroheshin shtetas të huaj përmes telefonatave për t’i shtyrë të investonin në bursa fiktive, është zbuluar nga policia. Gjatë ndërhyrjes, në ambient u kapën në flagrancë 5 shtetas që kryenin këtë veprimtari të kundërligjshme.

Tre prej tyre, menaxheri dhe dy punonjës, janë arrestuar. Dy punonjëse të tjera janë proceduar penalisht. Ndërkohë, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy shtetas që kishin marrë me qira ambientin për këtë qëllim.

Gjatë aksionit, janë sekuestruar pajisje kompjuterike, celularë dhe prova të tjera materiale.

Në njoftimin e policisë thuhet se specialistët e Seksionit për Krimet Ekonomiko-Financiare, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Wrong call”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në ambientin e përshtatur si call center. Aty u kapën në flagrancë shtetasi K. S., i dyshuar si menaxher i kësaj veprimtarie, dhe katër punonjës, të cilët mashtronin shtetas të huaj për t’i bërë të investonin në bursa fiktive.

Hetimet paraprake dyshojnë se ambienti ishte marrë me qira nga shtetasit E. S. dhe A. K. pikërisht për të kryer këtë veprimtari të kundërligjshme.

Në vijim të veprimeve procedurale:

  • Është arrestuar në flagrancë shtetasi K. S., 25 vjeç.
  • Janë arrestuar shtetasit F. K., 24 vjeç dhe E. A., 25 vjeç, të cilët punonin si punonjës.
  • Është nisur procedimi penal për shtetaset E. Sh., 22 vjeçe dhe E. Z., 19 vjeçe, të cilat gjithashtu punonin si punonjëse.
  • Janë shpallur në kërkim shtetasit E. S., 34 vjeç (vëllai i K. S) dhe A. K., 35 vjeç.

Po punohet për kapjen e tyre. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Scroll to Top