Venecia: Të arrestuar 3 shqiptarë, mes tyre një grua, pasi kthyen apartamentin në bazë droge
Një operacion antidrogë në zonën e Venecias ka çuar në goditjen e një rrjeti trafiku kokaine. Si pasojë, janë arrestuar tre persona me origjinë shqiptare, përfshirë edhe një grua.
Aksioni u zhvillua në San Donà di Piave. Policia kishte vënë re lëvizje të dyshimta në një apartament, me hyrje-dalje të shpejta që zgjatnin vetëm pak sekonda. Pas monitorimit të zonës dhe verifikimit të automjeteve, u krijuan dyshime të forta për aktivitet të paligjshëm.
Ndërhyrja u krye në momentin e një transaksioni të dyshuar droge. Gjatë kontrollit në banesë, policia arrestoi një 40-vjeçar shqiptar dhe partneren e tij, ndërsa edhe një person i tretë u vu në pranga.
Në vendngjarje u sekuestruan rreth 70 gramë kokainë me pastërti të lartë dhe mbi 2,200 euro cash. I dyshuari kryesor është dërguar në paraburgim në pritje të gjykimit, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit të rrjetit.
