Arrestohet ish-kryebashkiak, dyshohet se financonte një nga bandat më të fuqishme kriminale të Ekuadorit
Policia e Ekuadorit ka arrestuar një ish-kryebashkiak, i cili dyshohet se ishte një nga financuesit kryesorë të organizatës kriminale “Los Lobos”. Ky grup është i përfshirë në trafikun e drogës dhe veprimtari të paligjshme minerare.
I arrestuari është Elías Baldor Bermeo, i njohur me nofkën “B.B.”, ish-kryetar i komunës Camilo Ponce Enríquez. Sipas ministrit të Brendshëm, John Reimberg, ai konsiderohet si një prej mbështetësve financiarë kryesorë të një prej organizatave më të dhunshme kriminale në historinë e Ekuadorit.
Autoritetet dyshojnë se Bermeo ka përdorur aktivitetet minerare të paligjshme për të financuar rrjetin kriminal “Los Lobos”, i cili për vite me radhë ka gjeneruar miliona dollarë përmes nxjerrjes ilegale të mineraleve.
Operacioni policor u zhvillua në komunën Camilo Ponce Enríquez, në provincën e Azuay. Gjatë aksionit, efektivët arrestuan gjashtë persona, mes tyre edhe disa të afërm të ish-kryebashkiakut. Gjatë kontrolleve, policia zbuloi edhe shufra ari mbi të cilat ishte vendosur fotografia e Pablo Escobar, trafikantit kolumbian të drogës i vrarë në vitin 1993.
Ministri Reimberg deklaroi se Bermeo dyshohet për përfshirje në veprimtari të paligjshme minerare dhe organizim të sulmeve me eksplozivë. Sipas tij, gjatë viteve 2023–2025, ish-kryebashkiaku ka qarkulluar rreth 3.2 milionë dollarë përmes kompanive minerare.
Arrestimi vjen në kuadër të operacioneve të intensifikuara nga qeveria e presidentit Daniel Noboa kundër grupeve kriminale dhe rrjeteve të trafikut të drogës, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
