Tabaku: Ekonomia punon për pakicën, pensionet bien, familjet varfërohen

Tabaku: Rritja ekonomike për një pakicë, varfëri dhe pensione të ulëta për shumicën

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka reaguar në rrjetet sociale, duke vënë në dyshim efektivitetin e sistemit ekonomik aktual.

“Sistemi i dështuar që punon për pakicën!”, shkruan Tabaku.

Ajo thekson se qeveria po përpiqet të bindë shqiptarët se ekonomia po ecën mirë, por ngre pyetjen se kush përfiton realisht nga kjo rritje.

Tabaku sjell në vëmendje pretendimet e qeverisë për një zgjerim ekonomik prej mbi 24% të ekonomisë shqiptare nga viti 2021 deri në 2025. Ajo pyet se sa janë rritur pensionet gjatë kësaj periudhe dhe çfarë ka ndryshuar në jetën e pensionistëve, përveçse disa indeksime të vogla.

Deputetja shprehet se e vërteta është ndryshe:

  • 27% e popullsisë në moshë pensioni po drejtohet drejt kufirit të varfërisë ekstreme.
  • Pensioni mesatar i pensionistëve të rinj vitin e kaluar ka rënë në rreth 16 mijë lekë, duke qenë rreth 3% më pak se pensioni i atyre që dolën në pension në vitin 2024.
  • Rreth 55% e 641 mijë pensionistëve trajtohen me pension të pjesshëm, me një pagesë mesatare prej vetëm 13,500 lekësh në muaj.

Përfundimisht, Tabaku thekson se ekonomia mund të rritet sipas të dhënave zyrtare, por pensionet po bien, çmimet po rriten dhe familjet po varfërohen.

“Ky nuk është thjesht një sistem i padrejtë. Është një sistem që u merr shumicës për të mbrojtur pakicën,” shprehet ajo.

Ajo vijon duke thënë se ky sistem ka dëmtuar familjen shqiptare, ka zhvlerësuar punën e një jete dhe i ka kthyer pensionistët në luftë çdo muaj për të mbijetuar.

“Prandaj kjo shumicë e mbron me çdo kusht këtë sistem: sepse nuk punon për shqiptarët, por për pakicën që përfiton prej tij,” përfundon deputetja.

Scroll to Top