Avokati: Arrestimet civile shkelje e paligjshme e lirisë

VIDEO/ Arrestimi i protestuesve nga persona civilë, avokati: Shkelje e paligjshme e lirisë, janë ata rrëmbyes, vrasës apo shantazhistë?

Avokati Artan Manushaqe ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit gjatë protestave në Tiranë, duke ngritur pikëpyetje mbi shoqërimet dhe ndërhyrjet e kryera nga persona civilë gjatë tubimeve.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Manushaqe shprehet se në raste të caktuara, këto veprime mund të përbëjnë vepra penale si “heqja e paligjshme e lirisë” dhe “ushtrimi i dhunës”, duke iu referuar neneve përkatëse të Kodit Penal.

Ai parashtron pyetjen retorike: “A jemi në kushtet e heqjes së paligjshme të lirisë dhe ushtrimit të dhunës në bashkëpunim, nga persona civilë, identiteti dhe cilësia e të cilëve nuk dihen? Janë ata rrëmbyes, vrasës apo shantazhistë?”

Avokati u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes në rastet kur ndalohen apo u kërkohet informacion nga persona me rroba civile.

“Mos pranoni t’i jepni asnjë informacion asnjë personi civil nëse nuk është i identifikuar qartë me shenjat dhe simbolet e Policisë së Shtetit, pasi ata nuk kanë asnjë të drejtë,” thekson ai.

Manushaqe sugjeron gjithashtu që qytetarët të kërkojnë të dinë arsyen e ndalimit dhe bazën ligjore mbi të cilën u kërkohet informacioni.

“Pyetni cili është dyshimi i arsyeshëm, për çfarë vepre penale dyshoheni, që po ju pyesin apo pse jeni ndaluar në rrugë,” këshillon avokati.

Në reagimin e tij, Manushaqe ka përdorur gjithashtu një gjuhë të ashpër ndaj personave që abuzojnë me emrin e Policisë së Shtetit, duke bërë thirrje për rezistencë ndaj asaj që ai e cilëson “regjim”.

Ai sqaron se “Këtu jemi në kushtet e heqjes së paligjshme të lirisë dhe ushtrimit të dhunës në bashkëpunim, sipas neneve 25, 90 dhe 110 të Kodit Penal, nga persona civilë, identiteti dhe cilësia e të cilëve nuk dihen. Janë ata rrëmbyes, vrasës apo shantazhistë?”

Avokati nënvizon se “Në çdo rrethanë, sipas Kodit Penal, kujtdo i lind e drejta të mbrohet, në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, me çdo mjet dhe mënyrë të përshtatshme, ndaj një sulmi të padrejtë, të atëçastshëm dhe të vërtetë, në kuptim të nenit 19 të Kodit Penal.”

“Mbroni uniformën, por jo banditët që abuzojnë me emrin e Policisë së Shtetit dhe që janë lëshuar rrugëve të Tiranës si banditë. Rezistoni regjimit, pasi ai ka fundin e tij, ku burgos dhe dhunon, por Populli gjithmonë fiton, e sidomos ai shqiptar!” shkruan Manushaqe.

“Mos pranoni t’i jepni asnjë informacion asnjë personi civil nëse nuk është i identifikuar qartë me shenjat dhe simbolet e policisë së shtetit, pasi ata s’kanë asnjë të drejtë. Por edhe kur ju kërkojnë informacion, pyetni cili është dyshimi i arsyeshëm (për çfarë vepre penale dyshoni…), që po ju pyesin apo pse ju kanë ndaluar në rrugë.”

Scroll to Top