“`html
Deputeti i PD-së, Luan Baçi: Berisha është i pakonkurrueshëm, askush nuk ka shans ta mposhtë
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, deklaroi se aktualisht Sali Berisha nuk ka asnjë rival për drejtimin e partisë, pavarësisht se disa anëtarë brenda saj mund të kenë këtë dëshirë.
“Përsa i përket referendumit për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike, zoti Berisha gëzoi një konsensus të përgjithshëm mes demokratëve. Dhe kur them demokratë, kam parasysh ata që punojnë sinqerisht për Partinë Demokratike, janë pjesë e saj dhe këtë e vumë re si në procesin zgjedhor, ashtu edhe në pjesëmarrjen dhe qetësinë me të cilën u zhvillua referendumi”, u shpreh Baçi në emisionin “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN.
“Të gjithë kemi konstatuar se zoti Sali Berisha është aktualisht i pakonkurrueshëm brenda Partisë Demokratike dhe nuk ka nevojë t’ia vërsulim më. Nga drejtuesit dhe eksponentët aktualë të Partisë Demokratike, nuk kemi parë ambicie tek askush, edhe pse ndoshta të gjithë kanë dëshira.”
Baçi shtoi se tani PD duhet të vijojë procesin e ripërtëritjes së Këshillit Kombëtar dhe të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat do të zhvillohen vitin e ardhshëm. Sipas tij, PD ka të gjitha mundësitë për të rifituar Bashkinë e Tiranës.
“Për mua nuk është aspak e vështirë. Madje, është mjaftueshëm e lehtë, sidomos duke marrë parasysh situatën aktuale të bashkisë dhe situatën në të cilën ndodhet Partia Socialiste, me kryebashkiakun në burg, të arrestuar për korrupsion. Kjo na favorizon”, tha Baçi.
Sipas tij, PD duhet t’i caktojë dhe t’i bëjë publike emrat e kandidatëve për zgjedhjet lokale sa më shpejt të jetë e mundur, dhe jo t’i zbulojë ato para fillimit të fushatës.
“`
