### Rama: Shteti nuk ka falur Zvërnecin, është tokë private “dem baba dem”
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në prezantimin e Albanian Digital Solution Sh.A., një iniciativë që synon modernizimin e shërbimeve dhe forcimin e inovacionit teknologjik në vend. Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te lajmet rreth Zvërnecit.
Ai sqaroi se shteti nuk ka falur asgjë, pasi toka në Zvërnec nuk i përket shtetit, por ka qenë private. “Po dalin disa lajme me demek shteti po fal Zvërnecin. Shteti nuk po fal asgjë, sepse shteti aty nuk ka asgjë. Ajo është një pronë private, dem baba dem,” deklaroi Rama.
Ai shtoi se investitorët e përfshirë në biznesin në Zvërnec e kanë marrë pronën nga privatë. Kryeministri sqaroi gjithashtu se shteti ka pasur në anën tjetër të projektit, ishullin e Sazanit, ku ende nuk kanë përfunduar negociatat. Sipas tij, edhe toka e ishullit të Sazanit do të jetë pronë e shtetit shqiptar.
Rama theksoi se Albanian Digital Solution Sh.A. është një përpjekje në të cilën beson shumë, me synimin për të kthyer në realitet një produkt të prodhuar në vend dhe të eksportueshëm. Ai përmendi Korporatën Shqiptare të Investimeve si një realitet që dëshmon epërsinë e kësaj qasjeje krahasuar me mekanizmat e dobët të mëparshëm.
“Korporata e Investimeve sot ka krijuar një portofol me një kapacitet mbi gjysmë miliard euro që do të shkojnë në interes të shtetit shqiptar, duke i vënë edhe pronat publike për interesat e shtetit,” tha Rama. Ai shtoi se kjo qasje ndryshon nga e kaluara, ku dhënia e pronës publike në emër të zhvillimit ishte mënyra e vetme, për shkak të mungesës së mundësive të tjera.
