Banka e Shqipërisë: Imunitet i propozuar për Guvernatorin

Banka e Shqipërisë propozon imunitet nga arrestimi për Guvernatorin

Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë” parashikon që Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët e institucionit të gëzojnë imunitet nga arrestimi.

Sipas nenit 72 të projektligjit, i cili është hartuar nga Banka e Shqipërisë dhe është nxjerrë zyrtarisht për konsultim nga Ministria e Financave, Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk mund të arrestohen apo të privohen nga liria në asnjë formë. Gjithashtu, nuk u nënshtrohen kontrollit personal apo të banesës, pa marrë paraprakisht autorizimin e Gjykatës Kushtetuese.

Përjashtim nga kjo rregull bëhet vetëm në rastet kur zyrtarët e lartpërmendur kapen në flagrancë ose ndërsa janë në ndjekje të menjëhershme pas kryerjes së një krimi.

Në rast të nevojës për arrestimin ose kontrollin e banesës së këtyre zyrtarëve, prokurori përgjegjës për çështjen duhet të kërkojë menjëherë autorizimin nga Gjykata Kushtetuese. Ligji parashikon që Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim për këtë kërkesë brenda dy javëve nga data e paraqitjes së saj. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk vendos brenda këtij afati, kërkesa konsiderohet e refuzuar.

Shqipëria ka një precedent me arrestimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë në detyrë. Në shtator 2014, Guvernatori Ardian Fullani u arrestua me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pas skandalit të përvetësimit të 713 milionë lekëve në Departamentin e Emisionit të Monedhës. Megjithatë, në përfundim të procesit gjyqësor, ai u shpall i pafajshëm për akuzat e ngritura nga Prokuroria dhe më vonë fitoi dëmshpërblim financiar për shkarkimin nga detyra.

Në vitin 1993, një tjetër Guvernator i Bankës së Shqipërisë, Ilir Hoti, u arrestua me akuzën e shpërdorimit të detyrës, por arrestimi ndodhi pak muaj pas largimit të tij nga posti.

Aktualisht, legjislacioni shqiptar parashikon imunitet për Presidentin e Republikës, Kryeministrin, ministrat, deputetët dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Për shumicën e këtyre funksionarëve, autorizimi për heqjen e imunitetit jepet nga Kuvendi. Përjashtim bën Presidenti, për të cilin vendimi i Parlamentit duhet të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese, dhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, për të cilin autorizimi duhet të jepet nga i njëjti institucion.

Projektligji i propozuar “Për Bankën e Shqipërisë” ia jep të drejtën Gjykatës Kushtetuese të autorizojë arrestimin e Guvernatorit, duke përjashtuar Kuvendin nga ky proces.

Scroll to Top