BE paralajmëron Shqipërinë: Portet turistike të mos jepen pa garë dhe të respektohen angazhimet
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka reaguar pas miratimit të ndryshimeve në ligjin “Për portet turistike”, duke theksuar nevojën që këto ndryshime të kalojnë në filtrin e standardeve evropiane dhe të angazhimeve që Shqipëria ka marrë në procesin e integrimit.
Në një përgjigje për Faktoje, Delegacioni bëri të ditur se ndryshimet janë në vlerësim, me fokus të veçantë te prokurimi publik dhe përputhshmëria me legjislacionin e BE-së, i cili kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe ato për portet turistike.
“Ndryshimet do të duhet të vlerësohen nga afër nga shërbimet tona, veçanërisht në fushën e prokurimit publik dhe përputhshmërinë e tyre me legjislacionin e BE-së, i cili kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe për portet,” – u shpreh zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian.
Delegacioni nënvizoi gjithashtu se ndryshimet e reja përfshijnë elementë nga ligji për investitorët strategjikë, një ligj që Shqipëria pritet ta shfuqizojë si pjesë e reformave dhe përmbushjes së kritereve për mbylljen e Kapitullit 27 të negociatave të anëtarësimit.
“Shqipëria duhet të përmbahet nga çdo hap që bie ndesh me këto angazhime,” – paralajmëroi Delegacioni i BE-së.
Çfarë parashikojnë ndryshimet?
Parlamenti miratoi kohët e fundit një nismë ligjore që lejon dhënien pa garë të porteve turistike, në rastet kur ato janë pjesë e një investimi strategjik. Sipas këtyre ndryshimeve, nëse një port turistik përfshihet në një projekt të miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike, ai nuk do t’i nënshtrohet më procedurave konkurruese të koncesionit. Investitori strategjik do të ketë të drejtë ta ndërtojë dhe operojë portin drejtpërdrejt, ndërsa kushtet do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Nisma është argumentuar me nevojën për të shmangur mbivendosjet mes ligjit për portet turistike dhe atij për investimet strategjike, të cilat sipas autorëve kanë sjellë vonesa dhe paqartësi. Megjithatë, dokumenti thekson se projektakti nuk synon përafrim të drejtpërdrejtë me legjislacionin e BE-së.
Kundërshtime dhe shqetësime
Nisma ka ngjallur debate, duke përfshirë edhe rastin e investimit të parashikuar në ishullin e Sazanit nga një kompani e përfaqësuar nga Jared Kushner. Deputetja socialiste Zamira Sinaj e ka përdorur këtë shembull për të justifikuar ndryshimet, duke theksuar se ato do të lehtësonin investimet strategjike në turizëm.
Nga ana tjetër, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ka kundërshtuar fort këtë nismë, duke e cilësuar si një ligj që cenon standardet evropiane dhe favorizon interesa të veçanta. Ajo deklaroi se ndryshimi është në shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit si dhe të kapitujve përkatës të legjislacionit të BE-së, duke shtuar se ligje të tilla janë shpesh “me porosi” dhe mbrojnë interesa të veçanta.
Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, e sheh këtë ndryshim si pjesë të një modeli më të gjerë problematik që lidhet me statusin e “investitorit strategjik”. Sipas tij, ky mekanizëm është përdorur për të favorizuar aktorë të caktuar, duke shmangur konkurrencën dhe duke krijuar përfitime të pamerituara.
“Ky status u siguron bizneseve të përzgjedhura përfitime të pamerituara si përjashtime nga taksat, shpronësime të tokave dhe shmangie nga konkurrenca, duke anashkaluar parimet kushtetuese të garës së lirë,” – theksoi Preçi, duke paralajmëruar se amendimet e propozuara forcojnë këtë praktikë, duke u dhënë investitorëve të dyshimtë mundësinë të marrin edhe portet bregdetare, pa një master plan kombëtar për zhvillimin e tyre.
Edhe pse Delegacioni i Bashkimit Evropian nuk e cilëson drejtpërdrejt si shkelje të MSA-së ligjin e miratuar, ai thekson qartë se procedurat për dhënien e koncesioneve duhet të jenë transparente dhe konkurruese, si dhe se Shqipëria duhet të shmangë çdo hap që bie ndesh me angazhimet e saj. Në këtë kontekst, shqetësimet e ngritura nga deputetja Jorida Tabaku për mungesë gare dhe përputhshmëri me standardet evropiane gjejnë mbështetje në qëndrimin e BE-së.
