“`html
Belinda Ballukut i shtohet akuza për korrupsion dhe pastrim parash; SPAK: Tentoi të fshehë vilën luksoze në Dhërmi në emër të vartëses së saj
Ish-zëvendës-kryeministrja Belinda Balluku përballet tashmë me akuza të reja, duke përfshirë dyshimin për korrupsion dhe pastrim parash. Prokuroria e Posaçme (SPAK) njoftoi sot se i është sekuestruar një vilë luksoze në Dhërmi, me vlerë 145 mijë euro.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet ndaj shtetases Belinda Balluku, e cila aktualisht është marrë e pandehur për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Pas veprimeve të mëtejshme hetimore, ajo dyshohet gjithashtu për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim.
Në vijim të hetimeve, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasurinë e paluajtshme, në pronësinë indirekte të Belinda Ballukut, e cila ndodhet në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi.
Sipas rezultateve paraprake të hetimit, ekzistojnë dyshime se pasuria e sekuestruar lidhet me përfitim të parregullt, të kërkuar dhe marrë nga Belinda Balluku, në këmbim të favorizimit të një operatori ekonomik nëpërmjet një procedure prokurimi publik zhvilluar nga Albcontrol sh.a. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu përdorimin e veprimeve juridike të dyshuara si fiktive, me qëllim fshehjen e origjinës dhe pronësisë reale të pasurisë.
Pasuria e vendosur nën sekuestro përbëhet nga një “Vilë individuale dy katëshe tip Begonia me Nr.F6”, me një sipërfaqe prej 103m² dhe një verandë 34m². Vendparkimi ndodhet brenda parcelës. (Referuar kontratës së porosisë me nr.1059 rep, nr.650 kol, datë 05.12.2018).
Nga veprimet e tjera hetimore, duke përfshirë metoda speciale dhe grumbullimin e provave dixhitale, janë zbuluar fakte penale të reja në ngarkim të Belinda Ballukut, e dyshuar për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim.
Hetimet kanë nxjerrë të dhëna për veprime të kundërligjshme lidhur me procedurën e prokurimit për “Rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, si dhe shtesën e saj. Në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor “Albcontrol” sh.a., si Drejtore e Përgjithshme, së bashku me Shefin e Sektorit të Prokurimeve dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit, rezulton se kanë kryer veprime të kundërligjshme, duke shkelur ligjin e prokurimit publik. Këto veprime lidhen me përgatitjen e projektit dhe zhvillimin e procedurës, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese, operatorin ekonomik “Eurocol” sh.p.k.
Favorizimi i shoqërisë fituese ka vazhduar edhe në momentin e lidhjes së kontratës, duke i ofruar parapagim të menjëhershëm në vlerën 50% të kontratës, si dhe gjatë zbatimit të saj.
Hetimi tregon se Belinda Balluku, për shkak të funksionit të saj publik si Drejtore e Përgjithshme e Albcontrol sh.a., në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k., ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt. Ky përfitim, sipas kontratës së porosisë, është në vlerën 145,000 euro, duke u konkretizuar në vilën me nr. F6, në resortin turistik “White Rocks”, Dhërmi.
Për të fshehur këtë pasuri si produkt të veprës penale, Belinda Balluku ka përdorur shtetasin I.T dhe vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen J.B. Rezulton se Belinda Balluku ka kryer veprimin fiktiv të kontratës së porosisë mes shtetasit I.T dhe pronarit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k. Veprimet e kundërligjshme në formën e pastrimit të produkteve të veprës penale kanë vijuar nga Belinda Balluku, I.T dhe J.B, duke kryer veprimin tjetër fiktiv, atë të kontratës së qirasë dhe amendamentit të saj.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të fakteve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, si edhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse penale.
“`
